Muri i Berlinit, ndërtimi dhe rënia e simbolit të Luftës së Ftohtë

06/11/2014 00:00

Ai konsiderohet si simboli i Luftës së Ftohtë, apo si muri famëkeq që ndau Gjermaninë Lindore me atë Perëndimore, duke shënuar bllokadën e lëvizjes së lirë të një kombi brenda vendit të tyre.

Ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania u nda në katër zona ushtarake. Berlini gjithashtu u copëzua mes forcave amerikane, sovjetike, britanike dhe franceze, duke bërë që në periudhën 1945-1961, afro 3 milionë njerëz të zhvendoseshin nga Gjermania Lindore dhe Berlini Lindor për në Perëndim.

Në minutat e fundit të datës 13 gusht 1961, pas një urdhri qeveritar, u vendos ngritja e Murit të Berlinit, ku 10 mijë kilometra tela me gjemba u shtrinë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor.

Kjo mungesë lirie në Gjermani shqetësoi mbarë politikën globale. Në qershor të vitit 1963, Presidenti amerikan i asaj kohe, John Kennedy, mbajti një fjalim në Berlinin Perëndimor, fjalim i cili hyri shumë shpejt në histori, veçanërisht shprehja e famshme “Unë jam një berlinez”.

Por, pavarësisht murit, gjatë 28 viteve të tij pati shumë të vrarë, të arratisur e të plagosur. Edhe pse nuk pati kurrë shifra të sakta, afro 250 vetë humbën jetën dhe 3200 të tjerë u arrestuan në përpjekjen për të kapërcyer atë mur.

Mbrëmja e 9 nëntorit të vitit 1989 ndryshoi gjithçka. Në një konferencë të pazakontë shtypi, shefi për mediat i Partisë Komuniste, Guenter Schabovski, deklaroi para gazetarëve se byroja politike do të lejonte gjermano-lindorët të udhëtonin në Perëndim.

I kapur në befasi nga pyetja e një reporteri, se kur do të ndodhte kjo, Schabovski u përgjigj se do të ndodhte menjëherë. Ky i fundit nuk e pranoi kurrë pasaktësinë e tij.

Por, pavarësisht gafës së tij, brenda disa minutave gjermano-lindorët mësynë drejt postave të kufirit dhe mesnata e 9 nëntorit shembi dhe murin dhjetravjeçar. Rojet, të cilët nuk kishin marrë ende asnjë urdhër për menaxhimin e situatës, u gjendën në befasi por nuk hapën zjarr.

Pas disa orësh ankthi, liria e munguar u rikthye. 11 muaj pas rënies së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua.

Top Channel