Reforma në drejtësi, Fakulteti i Drejtësisë: Na përfshini edhe ne

06/11/2014 00:00

Nëpërmjet dekanit Altin Shegani, Fakulteti i Drejtësisë i ka kërkuar ish-studentit të vetë, ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, që ta përfshijë në diskutimet që po zhvillohen për reformën në drejtësi.

“Shpresojmë që kjo të ndodhë sepse deri tani një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur. Gjithashtu do të kërkoja nga ju edhe zgjidhjen e barrës financiare me të cilën ngarkohen pedagogët-avokatë kur përfaqësojnë në gjykatë individë të shtresave në nevojë. Përpos kësaj, ju keni dhënë garancinë por do ishte mirë që në të ardhmen ne të shohim pedagogët tanë në tryezat e diskutimit të reformës në drejtësi”, deklaroi Shegani.

Por ministri i Drejtësisë, Nasip Naço replikoi duke shpjeguar se ftesa ka qenë gjithëpërfshirëse.

“Unë mund të them publikisht se vetëm brenda muajit tetor, në konferencën kombëtare të organizuar nga presidenti dhe ministri i Drejtësisë dhe në tryezën e datës 31 tetor të organizuar nga vetë Ministria e Drejtësisë, u ftuan të gjithë aktorët vendas e ndërkombëtarë për të dhënë kontributin e tyre për reformimin e sistemit”, deklaroi Naço.

Këto deklarata u bënë në takimin për përvjetorin e parë të funskonimit të Klinikës së Ligjit, pranë Fakultetit të Drejtësisë, e cila mbështetet nga USAID për forcimin e arsimit juridik në vendin tonë.

Klinika e ligjit pranë këtij fakulteti ofron ndihmë juridike falas për personat në pamundësi ekonomike dhe ofrohet në mënyrë vullnetare nga studentët nën kujdesin e pedagogëve.

Top Channel