BE, hetime ndaj Luksemburgut për “taksa më të ulta”

06/11/2014 00:00

Komisioni Europian pritet të ushtrojë presion ndaj Luksemburgut, për shkak të akuzave se i ka ofruar ulje taksash më shumë se 300 kompanive globale, bëri të ditur një zëdhënës i Bashkimit Europian. Megjithatë, Margaritis Schinas tha se me këtë hetim nuk do të merret kreu i KE-së dhe ish-kryeministri i Lukemburgut, Jean-Claude Juncker.

“Pepsi” dhe “Ikea” janë mes kompanive të akuzuara se kanë bërë marrëveshje me Lukemburgun për të shpëtuar nga shuma të konsiderueshme taksash në vendet e tjera. Zbulimet e fundit janë publikuar nga një raport i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ).

Luksemburgu është gjithashtu duke u hetuar nga BE-ja mbi marrëveshjet e dyshuara të taksave “të ulta” me shitësit online të “Amazon”, si dhe me financimin e kompanisë së automobilave, FIAT.

Dy vende të tjera anëtare të BE-së, Irlanda dhe Malta, janë duke u hetuar gjithashtu si pjesë e goditjes së BE-së ndaj skemave shumëkombëshe të shmangies së taksave.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, ka këmbëngulur se marrëveshjet u janë përmbajtur rregullave ndërkombëtare mbi taksat, në një koment të bërë për agjencinë e lajmeve AFP.

Sipas ICIJ, një ekip prej 80 gazetarësh kanë shtënë në dorë rreth 28 mijë faqe dokumentesh vjedhurazi, të cilat tregojnë marrëveshjet për taksat dhe fitimet në lidhje me mbi 1000 biznese. Në disa prej këtyre rasteve, kompanitë kanë përfituar edhe nga norma taksash më të vogla se sa 1% mbi fitimin, me kusht që këtë ta transferonin në bankat europiane.

Top Channel