Skema e kompensimit të energjisë

06/11/2014 00:00

Qeveria ka përcaktuar 1.6 miliardë lekë ose 16 milionë dollarë për të kompensuar familjet nga rritja e çmimit të energjisë. Por si do të funksionojë skema e kompensimit?

Do të jenë 6 kategori familjesh që do të përfitojnë nga fondi i vënë në dispozicion prej 1.6 miliardë lekësh. Së pari janë familjet në ndihmë ekonomike të cilat klasifikohen të gjitha automatikisht si përfituese. Kategoria e dytë janë kryefamiljarët në pension pleqërie dhe invaliditeti.

Po kështu do të përfitojnë familjet që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuar, të verbërit, para dhe tretraplegjikët, si dhe të gjithë punonjësit buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj.

Sipas Ministrisë së Financave, paratë e kompensimit do të shpërndahen çdo muaj, bashkë me pagesat për ndihmën ekonomike, pensionet apo ato për invaliditetin. Por një herë në 6 muaj, familjet përfituese janë të detyruara të dorëzojnë faturat e energjisë si dëshmi që i kanë paguar ato.

Për familjet që përfitojnë, shuma e kompensimit sipas të dhënave zyrtare pritet të jetë mesatarisht 700 lekë në muaj.

Kush e mban barrën e çmimit

Të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se aktualisht janë mbi 500 mijë familje që kanë një konsum energjie deri në 300 kilovat/orë në muaj.

Me heqjen e fashës dhe njëhsimin e çmimit, të gjitha këto familje automatikisht do të kenë rritje të faturës mujore që paguajnë për dritat. Por jo të gjitha do të marrin kompensim. Top Channel u referohet të dhënave zyrtare nga vetë Ministria e Punës.

Sipas tyre, aktualisht në total janë 203 mijë familje të cilat bien në një nga 6 kategoritë e përcaktuara dhe që klasifikohen si përfituese. Kjo do të thotë se mbi 300 mijë familje të tjera, që preken nga rritja e çmimit, nuk do të marrin kompensim, por do ta përballojnë vetë barrën shtesë.

Madje, mes tyre mund të ketë edhe familje me pagë nën 35 mijë lekë, që punojnë në sektorin privat dhe që nuk e përfitojnë kompensimin pasi qeveria e ka vendosur atë vetëm për buxhetorët.

Në fund, të dhënat zyrtare tregojnë se në total nga fondi i kompensimit do të përfitojnë vetëm 40 për qind e familjeve që preken nga rritja e çmimit, të cilat klasifikohen si ato më në nevojë.

Top Channel