Video-skandali, Pango në Apel

06/11/2014 00:00

Gjykata e Apelit mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe të martën tjetër do të dalë me një vendim në lidhje me kërkesë-padinë e ish-Ministrit të Kulturës, Ylli Pango i cili pretendon prej gati gjashtë vitesh që të dëmshpërblehet nga Top Channel me një milionë euro pas publikimit në Fiks Fare të video-skandalit ku ish-zyrtari shfaqet duke kërkuar favore seksuale nga një vajzë në këmbim të një vendi pune.

Trupa gjyqësore me relator Metush Saraçin dhe anëtarë gjyqtarët Hysni Demiraj dhe Gjin Gjoni pas dëgjimit të pretendimeve të palëve deklaroi se shpallja e vendimit shtyhet dhe do të jepet më datën 11 nëntor për shkak të dosjes voluminoze. Në këtë seancë ish-Ministri i Kulturës Pango nuk u paraqit, por u përfaqësua nga avokatja Bendis Boçari.

Në vitin 2010 gjyqtari Agim Bendo dha një vendim për gjobitijen e Top Channel me 400 mijë euro, por dy shkallë të tjera gjykimi Apeli dhe Gjykata e Lartë e shfuqizuan vendimin e Bendos si të paargumentuar në ligj dhe kërkuan rishqyrtimin e çështjes sërish në Shkallën e Parë. Për këtë arsye, marsin e kaluar Gjykata e Shkallës së Parë, pasi e rimori në shqyrtim çështjen rrëzoi kërkesë-padinë e Pangos për t’u dëmshperblyer, duke delegjitimuar njëkohësisht edhe gjobën e famshme prej 400 mijë eurosh të vendosur katër vjet më parë nga gjyqtari Agim Bendo.

Sipas pretendimeve të avokates së Pangos, vendimi për shfuqizimin e gjobës ishte i njëanshëm pasi sipas tyre gjykata nuk kishte analizuar si ishte montuar materiali në banesën e Pangos dhe si është transmetuar ky vendim. Mbrojtësit e Pangos pretendojnë se është cënuar e drejta e privatësisë për shkak të konfliktit që ata pretendojnë se ka patur, sipas tyre, Top Channel me ish-Ministrin e Kulturës për çështjen e Piramidës.

Por avokati i Top Channel Sokol Nako replikoi duke shpjeguar se Top Channel nuk ka patur asnjë konflikt të mëparshëm me Pangon dhe të vetmin konflikt ligjor për çështjen e Piramidës e ka patur me qeverinë shqiptare në gjykatë. Sipas zotit Nako vendimi në fjalë është i drejtë, i bazuar në prova dhe ligj dhe se pretendimet e palës ankimuese nuk qëndrojnë e për rrjedhim ato duhet të rrëzohen.

Sipas Nakos, vetë avokatja e Pangos shprehet në ankimin drejtuar Apelit se në këtë transmetim nuk ka asnjë ndryshim të përmbajtjes nga ajo që ka ndodhur në banesën e zotit Pango. Avokati Nako theksoi se referuar edhe praktikës së Gjykatës së Strasburgut, që flet për balancën mes privatësisë dhe jetës së funksionarëve publikë, në këtë rast pesha rëndon mbi të drejtën e publikut për t’u informuar dhe për këtë arsye vendimi i Shkallës së Parë duhet të qëndrojë në fuqi.

Top Channel