Protestat anti-krizë djegin Brukselin

06/11/2014 00:00

Policia belge ka përdorur gaz lotësjellës dhe pompa uji ndaj protestuesve të dhunshëm që kanë manifestuar këtë të enjte kundër masave ekonomike anti-krizë në qendër të Brukselit.

Automjeteve të ndryshme iu vu flaka nga manifestuesit në fund të marshimit, të cilët hodhën edhe gurë e shashka ndaj forcave të rendit.

Qeveria e re e Belgjikës ka në plan të rrisë moshën e pensionit, të ngrijë rrogat dhe të bëjë shkurtime në sektorin publik, në mënyrë që t’u afrohet objektivave të BE-së.

Sindikatat tregtare kanë planifikuar një seri grevash në shenjë proteste ndaj këtyre masave.

Marshimi i së enjtes ishte ndër më të mëdhenjtë i mbajtur nga klasa punëtore në Belgjikë që prej Luftës II Botërore. Si pasojë e akteve të dhunës të paktën 14 persona mbetën të plagosur, raportoi agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Punonjës të uzinave të shkrirjes së çelikut, të porteve dhe arsimit ishin mes 100 mijë protestuesve që parakaluan në kryeqytetin belg.

Qeveria e qendrës së djathtë e udhëhequr nga kryeministri Charles Michel ka nisur tashmë bisedimet me krerët e sindikatave, që kundërshtojnë masat e forta anti-krizë, që synojnë mbajtjen e defiçitit buxhetor në nivele të ulëta.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel