Llalla: Nën hetim një ministër

06/11/2014 00:00

Prokuroria e Përgjithshme ka nën hetim një anëtar të kabinetit të Qeverisë aktuale. Bëhet fjalë për një ministër që po hetohet nga prokuroria dhe që sipas kryeprokurorit Adriatik Llalla nuk përjashtohet as mundësia e arrestimit.

Adriatik Llalla:Kemi në proces hetimi, raste të zyrtarëve të aktualë, ashtu si të ish-zyrtarë të tjerë.

Sokol Balla: Në nivel ministri?

Adriatik Llalla: Edhe në nivel ministri.

Sokol Balla
: Të qeverisë aktuale?

Adriatik Llalla: Edhe të Qeverisë aktuale…Derisa bëhet fjalë për një ministër, normalisht ka lidhje me detyrën

Sokol Balla: Pra, ka lidhje me detyrën?

Adriatik Llalla
: Nëse do ta përmendim ndryshe, do të përmendim emrin e ministrit

Sokol Balla: Bëhet fjalë për aktivitet të mëparshëm, apo aktual?

Adriatik Lalla: Aktual

Sokol Balla: Po për cfarë bëhet fjalë?

Adriatik Llalla: Cështje, të cilat janë ende në fazat fillestare të hetimit, nuk mund të japim detaje të mëtejshme

Sokol Balla: Emrin e ministrit socialist, nuk do ma thoni? Atë që po pritet ta arrestoni…

Adriatik Lalla: Nuk thashë që do ta arrestojmë, do ta hetojme

Sokol Balla
: Por edhe mund ta arrestoni

Adriatik Llalla: Nëse do të rezultojë se është përgjegjës, me siguri…

Këtë deklarate, kryeprokurori e beri ne emisionin kësaj të enjteje të “Top Story”, kur komentoi se Prokuroria ka ne dore shume hetime, te cilat ai tha se do te pershpejtojne integrimin europian te Shqiperise. Ne keto hetime Llalla tha se ka ish-zyrtare ne qeveritë e kaluara dhe ne ate aktuale.

 Intervista e plotë

Institucioni i prokurorisë është ndër hallkat më të rëndësishme të
sistemit të drejtësisë. Sot ky institucion ndodhet përballë dosjeve
voluminoze të mbartura ndër vite, por edhe të reja të një numri
vrasjesh, atentatesh mafioze e skandalesh spektakolare dhe ende askush
s’e di cilët janë fajtorët, arsyet dhe motivet.

E për më tepër, muaj më parë kryeprokurori Adriatik Llalla foli për disa dosje në duart e institucionit që ai drejton, dosje që siç tha ai do të trondisin vendin. Por cilat janë këto dosjet që do të trondisin të ardhmen europiane të Shqipërisë?

Për këto dhe të tjera pyetje në “Top Story” këtë të enjte përballë gazetarit Sokol Balla ishte vetë Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Sokol Balla: Le të flasim për ngjarjen e ditës së martë, ku humbën jetën 4 vetë dhe i dyshuari kryesor është Kostandin Xhuvani, djali i ish-deputetes Xhuvani, si dhe i përshirë djali i një kolegut tuaj. Çfarë mund të na thoni për dinamikën e ngjarjes?

Adriatik Llalla: Ishte një ngjarje e rëndë, ku humbën jetën katër persona. Që në momentet e para të ngjarjes janë shoqëruar tre të dyshuar. Në aspektin personal ndaj dhimbjen më të thellë me familjarët e viktimave, ndërsa në atë profesional siguroj familjarët dhe gjithë shtetasit se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po kryen të gjitha veprimet hetimore, me intensitet, për të vënë para drejtësisë përgjegjësit.

Sokol Balla: Në aktpadinë që do të dorëzoni nesër në gjykatë, masa që do të kërkoni do të jetë ‘burg pa afat’?

Adriatik Llalla: Pa diskutim.

Sokol Balla: Prokuroria dukej se nuk kishte asnjë dyshim se kush ishte autori i ngjarjes…

Adriatik Llalla: lidhur me këtë ngjarje ka pasur hetime intensive në vendin e ngjarjes që vërtetojnë përgjegjësinë e shtetasit Kostandin Xhuvani. Kjo tregohet nga të gjitha veprimet hetimore që janë kryer pas arrestimit.

Sokol Balla: I akuzuari ka kërcënuar për të vrarë edhe policët që  e kanë ndaluar?

Adriatik Llalla: Po.

Sokol Balla: Zoti Llalla, thoni se nuk keni asnjë dyshim për dinamikën e ngjarjes. Është provuar se i dyshuari ka qëlluar për të vrarë të 4 personat?

Adriatik Llalla: Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se shtetasi Kostandin Xhuvani është kthyer në lokal për të qëlluar dy personat, ndërsa nga të dhënat e hetimit ka dyshime se dy të tjerët kanë vdekur në mënyrë aksidentale.

Sokol Balla: Thuhet se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një armë tjetër… Arma ka qenë e një prej viktimave?

Adriatik Llalla: Dyshimet janë të tilla që ka qenë e njërit prej viktimave.

Sokol Balla: Po lajtmotivi i ngjarjes?

Adriatik Llalla: Debatet mes palëve kanë lindur pasi i akuzuari i ka kërkuar drogë palës tjetër, që ishte duke konsumuar lëndë narkotike. Kjo ka shërbyer në fillimin e konfliktit, që më pas është përshkallëzuar.

Sokol Balla: Pra, vetëm për një dozë drogë?

Adriatik Llalla: Po.

Sokol Balla: Po viktimat kishin preçedentë penalë?

Adriatik Llalla: Viktimat nuk kishin pasur. Nuk kemi një informacion që të tregojë se kishin.

Sokol Balla: Në shtyp thuhet se Kostandin Xhuvani jo vetëm ka refuzuar autorësinë, por ka refuzuar edhe të firmosë dokumentin për dinamikën e ngjarjes. Në kërcënimin që u ka bërë dy policëve që e kanë ndaluar, a është e vërtetë se ai u ka thënë atyre se kishte vrarë 4 vetë dhe se ishte gati të vriste të tjerë?

Adriatik Llalla: Hetimet në rastin konkret vijojnë me dinamikën e tyre, me marrjen në pyetje të policëve, etj. Deklaratat e shtetasit Xhuvani që përmendet juve, refuzimi i firmosjes së dokumenteve dhe letrave të tjera me radhë kanë qenë një tentativë e tij për t’u shkëputur nga ngjarja. Por ajo që rezulton është se fajësia e tij për këtë vepër penale është e provuar.

Sokol Balla: Ky person dy vite më parë kreu një tjetër vrasje dhe u dënua lehtë. Ai u dënua 2 vjet dhe kreu 9 muaj burg. Mendoni se prokuroria ka pjesën e saj të përgjegjësisë për mënyrën se si një individ i tillë u la i lirë kaq shpejt?

Adriatik Llalla: Është një ngjarje që ka ndodhur 3 vjet më parë, para se unë të merrja detyrën. Është një çështje që ka kaluar të gjitha fazat e hetimit dhe të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe është marrë ai vendim. Për të gjykuar nëse vendimi i gjykatës është i drejtë ose jo, mendoj se nuk është momenti i duhur pasi është një vendim i ekzekutuar.

Sokol Balla: Opozita ka akuzar qeverinë se e ka lënë të lirë Xhuvanin pas një ngjarjeje të ndodhur në prill 2014, më pas kemi pasur një deklaratë të policisë se prokuroria e ka lënë të lirë Xhuvanin dhe më pas njoftimi se ka qenë i shtruar në një spital mendor të Elbasanit. Ka qenë prokuroria që i ka ndërprerë hetimet në këtë rast, apo jo?

Adriatik Llalla: Rasti në fjalë i referohet 25 prillit, kur në lagjen 18 Shtatori në qytetin e Gjirokastrës ka pasur një konflikt në një lokal mes dy grupeve të rinjsh, të cilët kanë dalë jashtë lokalit dhe personi i dyshuar ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Nga të dhënat e para operative të policisë rezultonte se një nga të dyshuarit ka qenë shtetasi Kostandin Xhuvani. Është bërë një verifikim me fotografi ku dëshmitarë kanë vënë gishtin tek shtetasi Xhuvani. Nuk është bërë e mundur kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore sepse ky shtetas nuk ndodhej më në Gjirokastër apo në ndonjë vend tjetër. Pak ditë më pas është dorëzuar një pro-memorie në policinë e këtij qyteti nga avokati i të dyshuarit, ku pretendohej se Xhuvani nuk kishte qenë në Gjirokastër në momentin e të shtënave pasi ndodhej në një spital psikiatrik të Elbasanit për shkak të problemeve me alkoolin. Kjo shoqërohej me dokumentat përkatëse të marra nga ky spital.

Sokol Balla: Pse prokuroria cilësoi më të vlefshëm një dokument spitali sesa dëshmitë e 2 apo 3 personave?

Adriatik Llalla: Prokuroria verifikoi kartelën klinike në spitalin e elbasanit. Është pyetur personeli mjekësor, sipas të cilit rezulton se ky shtetas ndodhej atje natën e ngjarjes. Më pas prokuroria ka bërë paraqitjen për njohje. Ky shtetas është shoqëruar në Gjirokastër ku është bërë njohja me të dëmtuarit, të cilët kur e kanë parë fizikisht kanë thënë se nuk ka qenë ai agresori i asaj nate. Në këto kushte është bërë pushimi i pjesshëm i hetimeve.

Sokol Balla: Pra, konkluzioni është se policia nuk e ka lënë të lirë, por çështja është pushuar në bazë të rrethanave të caktuara…

Adriatik Llalla: Çështja është pushuar në bazë të provave të grumbulluara. 

Sokol Balla: Zoti Llalla, flasim pak për kriminalitetin, në ç’situatë ndodhet Shqipëria? A funksionojnë marrëdhëniet ndërinstitucionale?

Adriatik Llalla: Kemi bashkëpunim korrekt me të gjitha isntitucionet e tjera, detyrë të cilën e kryejmë në respket të detyrimeve tona ligjore. Probleme me kriminalitetin ka. Synojmë të përmbushim detyrën tonë. Ngjarje do të ndodhin, e rëndësishme është që organet e drejtëisë të zbulojnë autorët.

Sokol Balla: Ka bashkëpunim mes Prokurorisë dhe Policisë?

Adriatik Llalla: Ka bashkëpunim konstruktiv. Prokuroria ka takime periodike me Policinë, ku diskutohen hetimet për çështje të caktuara dhe organizimin.

Sokol Balla: Kalojmë në të shkuarën, sepse ka patur aludime se shumë prej aksioneve dekonspiroheshin nga policia. A ka ndryshuar gjë në këtë 1 vit e ca?

Adriatik Llalla: Duhet të theksoj se ne kemi patur raste që persona të ngarkuar me hetimet i kanë dekonsipruar ato. Për të gjitha ato raste ligji përcakton përgjegjësinë për gjithësecilin.

Sokol Balla: A keni raste të tilla?

Adriatik Llalla: Kemi.

Sokol Balla: Dje kishit takim me kryeprokurorin e Antimafias italiane. Ishte një takim kortezie, apo ka diçka konkrete?

Adriatik Llalla: Me prokurorinë italiane kemi bashkëpunimin më të frytëshëm. Kjo edhe për faktin që në Itali jeton një komuniteti i madh emigrantësh shqitparë, mes të cilëve ka elementë me preçedentë kriminale, ashtu siç ka edhe italianë që ushtrojnë aktivitete kriminale në Shqipëri. Dje diskutuam për thellimin e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar dhe pastrimin e produkteve të veprave penale. Prokuroria shqiptare ka nevojë të ketë struktura më të afta dhe Italia ka ofruar gjithë ndihmën e saj.

Sokol Balla: Ka raste konkrete?

Adriatik Llalla: Pa dyshim.

Sokol Balla: Sapo u kthyet nga Shtetet e Bashkuara ku patët takim me prokurorin e përgjithshëm Eric Holder. Zakonisht, kur zyrtarë të tillë ikin në SHBA thuhet gjithmonë se shkojnë për të marrë ca porosi për t’i zbatuar, çfarë do të ndryshojë kjo vizitë?

Adriatik Llalla: Kemi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA dhe të strukturave të BE. Ishte një vizitë e suksesshme ku i rikonfirmua fakti që Shtetet e Bashkuara mbeten partneri ynë më i rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor. Gjatë këtyre diskutimeve u fol për çështje të ndryshme si krimin ekonomik, krimin e organizuar dhe terrorizmin që ka prekur edhe Shqipërinë.

Sokol Balla: Ndalemi tek terrorizmi ndërkombëtar, më saktë ISIS. Realisht, sa e përfshirë është Shqipëria në furnizimin e terroristëve dhe në luftën kundër tij?

Adriatik Llalla: Së pari, Shqipëria si anëtare e NATO-s ka përgjegjësitë e saj dhe ka detyrimet e saj për të mbështetur Aleancën në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Njëherazi, edhe legjislacioni shqiptar parashikon ndëshkimin e personave që ndihmojnë terrorizmin ose e ushtrojnë vetë atë. Kemi arrestuar një sërë personash.

Sokol Balla: Arrestuat edhe dy imamë, ku janë hetimet për këtë rast?

Adriatik Llalla: Hetimet ndaj këtyre personave janë drejt përfundimit dhe do të çohen në gjykatë. Pak raste janë sërish në hetim. Fakt është që në Shqipëri konstatohet një tkurrje e këtij fenomeni dhe një stepje për të mos iu bashkuar.

Sokol Balla: Të ndalemi tek personat e përfshirë në rekrutimin dhe financuesit. Të çfarë kategorie janë financuesit?

Adriatik Llalla: Biznesmenë.

Sokol Balla: Si ka qenë reagimi i kryeministrit për këto hetime, bashkëpunues?

Adriatik Llalla: Kryeministri shqiptar, si gjithë shoqëria shqiptare, ka mbështetur veprimet e drejtësisë dhe u ka bërë thirrje besimtarëve që të mos i bashkohen veprimeve që nuk janë as të natyrës fetare dhe qëllimeve tona kombëtare.

Sokol Balla: Në mos gaboj, në prag të vizitës së Papës në Tiranë pati një valë arrestimesh në Kosovë. Ditën që këta persona u arrestuan doli një njoftim që thoshte se ju kishit patur një takim me kryeprokurorin e Kosovës, a ka pasur lidhje?

Adriatik Llalla: Me Prokurorinë e Kosovës kemi një marrëdhënie korrekte dhe institucionale, kryesisht shkëmbime informacionesh. Takimi im është bërë në këtë kuadër pasi Hoxha është emëruar në këtë detyrë pak muaj më parë. Pra, vizita ka qenë për shkëmbim informacionesh.

Sokol Balla: Po thoni që fenomeni është në tkurrje, por atëherë pse ishte një shqetësim i madh për amerikanët?

Adriatik Llalla: Qeveria amerikane mbështet veprimtarinë e institucioneve tona në këtë drejtim.

Sokol Balla: A ka qenë Shqipëria e rrezikuar në një të shkuar të afërt nga sulmet terroriste? Ky është problemi që ka BE sot dhe konflikti mund të eksportohet prej nga vijnë luftëtarët.

Adriatik Llalla: Deri më tani nuk ka informacione të natyrës që Shqipëria të ketë qenë e rrezikuar nga sulme terroriste.

Sokol Balla: Disa kohë më parë, kryeministri Rama anuloi vizitën në Burrel për shkak të një kërcënimi për atentat me tritol. Vizita u anulua për arsye sigurie, pavarësisht se është thënë për arsye shëndetësore…

Adriatik Llalla: Prokuroria nuk ka nisur një hetim për diçka të tillë.

Sokol Balla: Krimi i organizuar është një prioritet. Si është Shqipëria në këtë sfidë?

Adriatik Llalla: Shqipëria përballet përditë me luftën kundër krimit të organizuar, një situatë që u diskutua edhe me kryeprokurorin italian. Gjatë këtyre viteve, individë që janë marrë me trafik lëndësh narkotike, prostitucion dhe veprimtari të tjera kriminale përpiqen t’i investojnë pasuritë në Shqipëri, duke përfituar edhe nga informaliteti i ekonomisë. Institucionet tona po punojnë në mënyrë intensive. Theksoj që në bashkëpunim me BE-në presim që shumë shpejt të vëmë në punë projektin mbi bazën e të cilit do të kemi të dhënat elektronike, që të kontrollojmë të dhënat në gjithë republikën nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Sokol Balla: Opozita ka patur akuza konkrete ndaj disa prej përfaqësuesve të PS si të inkriminuar dhe të përfshirë në trafik droge dhe prositutcioni. A ka indicje për këto akuza?

Adriatik Llalla: Prokuroria vepron mbi bazën e provave dhe fakteve. Nëse një shtetas apo një institucion ka dyshime për përfshirjen e një individi në veprimtari kriminale, atëherë ka detyrimin ta referojë në Prokurori.

Sokol Balla: Në bazë të ligjit bëhet fjalë për një shtetas që është dënuar dhe është “pastruar”. A ka raste të tilla?

Adriatik Llalla. Ka raste të tilla.

Sokol Balla: Operacionet kundër drogës në Lazarat dhe Dukagjin ishin të suksesshëm, por ka patur edhe akuza për ndërhyrje politike në këtë aksion. Keni të dhëna për këtë?

Adriatik Llalla: Nëse do të kishim të dhëna të kësaj natyre do të kishim nisur hetimet. Nuk kemi patur një hetim.

Sokol Balla: Keni përmendur publikisht që asetet kriminale është sfida për prokurorinë. Shifrat janë të ulëta ndërkohë që ligji i famshëm Antimafia ekziston, pse këto rezultate të dobëta?

Adriatik Llalla: Nuk janë rezultate të dobëta. Prokuroria ka rritur numrin e sekuestrimit të pasurive të vëna nëpërmjet veprimtarive kriminale.

Sokol Balla: Keni thënë që prokuroria ka nevojë për logjistikë. A i ka ajo kapacitetet për t’u përballur me krimin e organizuar, apo është një betejë e humbur?

Adriatik Llalla: Krimi i organizuar ka në dispozicion burime të shumta financiare dhe ka evoluar në kohë. Kjo sjell detyrimin që prokuroria të rrisë profesionalizmin e saj dhe teknologjinë për t’u përballur me këto sfida. Krahas mbështetjes së qeverisë, kemi patur mbështetje nga BE dhe partnerët amerikanë. Brenda janarit do të futemi në një proces monitorues.

Sokol Balla: Ku janë hetimet e vrasjes së bankierit Santo, një ngjarje e rëndë e ndodhur në qendër të Tiranë?

Adriatik Llalla: Hetimet e prokurorisë vazhdojnë me intensitet të lartë duke kërkuar mirëkuptimin tënd nuk mund të jap më tepër detaje për këtë ngjarje. Po ka mjaft pista ku dyshohet dhe që priten rezultate konkrete.

Sokol Balla: Thoni që ka disa pista, ku dyshoni?

Adriatik Llalla: Çështja është në fazë hetimi.

Sokol Balla: Do ketë përfundim të shpejtë?

Adriatik Llalla: Besoj se po.

Sokol Balla: Kaq e komplikuar qenka?

Adriatik Llalla: Është një ngjarje e rënde dhe problematikat që shoqërojnë ngjarjen dhe pozicioni i Santos në një bankë të rëndësishme.

Sokol Balla: Ju nuk morët pjesë në pritjen e Papës nga Presidenti dhe mungesa shkaktoi interpretime të ndryshme. Si janë raportet me Presidentin?

Adriatik Llalla: Në ceremoninë e ardhjes së Papës e kisha me dëshirë, por nuk mundja të shkoja për shkak të një vizite të planifikuar jashtë Shqipërisë. Me Presidentin kam mbështejten dhe jam në përmbushje të detyrës time.

Sokol Balla: Shumë pak veta e besojnë që keni qenë ju që keni vulosur arrestimin e Fullanit…

Adriatik Llalla:
Çështja e Guvernatorit dhe vjedhjes së bankës është një ngjarje e rëndë, një hetim pritshmëria për të cilin është tepër e lartë. Hetimet kryehen me intensitet nga Task Forca e Prokurorisë së Tiranës. Masën e gjykon prokurori që merret me hetimin, kërkesa e prokurorit është miratuar nga gjykata e shkallës së parë, pavarësisht se hodh poshtë më pas.

Sokol Balla: Thoni që nga pikëpamja funksionale prokuroria është një organ i centralizuar. Keni firmosur arrestimin e Fullanit?

Adriatik Llalla: Çështja është në hetim, në rastin konkret, në këto rrethana gjykoj të tepërt për të diskutuar përfshirjen time ose jo në rastin konkret. E rëndësishme është fakti që prokuroria ka kryer hetime intensive në këtë ngjarje dhe pjesa më e madhe e personave që kanë kryer këtë ngjarje, zbuloi në kohë rekord pjesëm më të madhe të të dyshuarave që sot janë të pandehur. Hetimet vazhdojnë për të tjerë persona si Fullani dhe Golemi.

Sokol Balla: Askush nuk e besonte që Prokurori i Përgjithshëm të ndërmarrë një veprim të tillë dhe të mos njoftojë presidentin dhe kryeministrin, askush dhe pyetja tjetër a keni patur presion për lirimin e tij, presion politik?

Adriatik Llalla: Në një shtet demokratik cdo institucion duhet të përmbushe në mënyrë korrekte detyrimet e tij kushtetuese. Në asnjë dispozitë kushtetuese prokurori nuk duhet të japë sqarim për institucionet e tjera.

Sokol Balla: Është arrestuar natën, mund ta kishit arrestuar ndryshe?

Adriatik Llalla: Për ne e rëndësishme ishte marrja e mandatit të gjykatës, pjesa tjetër kryhet nga policia.

Sokol Balla: Dëmi është më i madh se aq?

Adriatik Llalla: Është një cështje për t’u hetuar që dëmi mund të jetë edhe më i madh se aq. Çështja vazhdon.

Sokol Balla: Pse këmbënguli prokuroria për të mbajtur Fullanin në burg?

Adriatik Llalla: Është një çështje ekskluzive e prokurorit të rastit konkret. Kërkesë që ka gjetur miratim nga gjykatës.

Sokol Balla: Berisha deklaroi se arrestimi i Fullanit është bërë kur ju nuk keni qenë në Shqipëri. Interpretimet janë që fakti që ikët në ato momente së bashku me kryeministrin Rama për të treguar që bëhet fjalë për një aksion të mirëplanifikuar nga ana politike?

Adriatik Llalla: Duhet të theksoj faktin që kam marr përsipër të përmbush këtë detyrë dhe nuk druhem dhe për ta përmbushur atë në mënyrën më korrekte të mundshme. Ndodhesha jashtë Shqipërisë për punë dhe të gjitha aludimet janë konspirative me rastin konkret.

Sokol Balla: Si janë raportet me opozitën? Ata ju kanë zgjedhur kryeprokuror.

Adriatik Llalla: Me zgjedhjen në këtë detyrë jam betuar kushtetutës që do zbatoj ligjin, pavarësisht se nga cila forcë kam patur mbështetjen, por kam patur mbështejten edhe nga mazhoranca aktuale për zgjedhjen në këtë institucion. Mazhoranca nuk votoi se kishte vërejtje për procedurën. Jam zgjedhur në ILDKP vite më parë me votat e mazhorancës aktuale.

Sokol Balla: Kryeministri i vendit thotë se sfida madhore e vendit është korrupsioni dhe nuk ishte i lumtur me prokurorinë. Si i keni raportet?

Adriatik Llalla: Kemi raporte tepër korrekte institucionale. Diskutojmë vazhdimisht për cështje konkrete, për të cilat Kryeministri ka përgjegjësi përpara opinionit publik dhe kërkon bashkëpunimin e gjithë institucioneve. Prokuroria ka dhënë maksimumin e saj.

Sokol Balla: Korrupsioni referohet shpesh në raportet e BE-së e KE-së që kanë thënë që Shqipëria do të ishte shumë më shpejt në BE nëse do të kishim një arrestim të tipit Ivo Sanader, a është në gjendje prokuroria shqiptare për këtë?

Adriatik Llalla: Prokuroria është në gjendje të vendosë përpara përgjegjësisë ligjore cdo individ të përfshirë në afera të paligjshme. Do të ndëshkojmë zyrtarë dhe ish-zyrtarë nëse kemi provat e nevojshme.

Sokol Balla: Zyrtarë të lartë jo ama. Psh ju kishit çështjen Imami dhe ju e pushuat atë.

Adriatik Llalla: Sa i përket Imamit është një çështje që ka patur interesim të madh, por dua të theksoj që askush nuk mund të ndëshkohet pa prova. Në rastin e zotit Imami u kryen hetimet dhe prej tij nuk ishin konsumuar elementë të veprës penale dhe për këtë rasti është bërë publik, si për subjektin kallëzues ashtu edhe për publikun për dosjen e shpërdorimit të detyrës.

Sokol Balla: Raportet tuaja me Metën? Në këtë studio ai i bëri një mbështetje të qendrueshme ish-Guvernatorit Fullani, ndërsa një pjesë e madhe e zyrtarëve të arrestuar nga prokuroria janë anëtarë të LSI-së. Në këtë pjesë Meta u tregua i qartë kur dha mbështetjen për prokurorinë.

Adriatik Llalla: Me Kuvendin kemi bashkëpunim korrekt institucional ndërsa për pjesën tjetër mund të them që organi i akuzës nuk sheh në asnjë rast nëse personi i përket një force politike, por nëse ka shkelur ligjin ose jo.

Sokol Balla: Kemi nga njëra anë dosjen e Shpëtim Gjikës, nga ana tjetër atë të Xhelal Mziut, kemi dosjen e Zyhdi Dajtit dhe atë të Florenc Hoxhës. Prokuroria duket sikur ka ruajtur një balancë në aksionet e fundit, një balancë politike dhe ju thoni që nuk keni asnjë lidhje me politikën?

Adriatik Llalla:
Nuk kemi asnjë lidhje me përkatësinë e personave që merren të pandehur. Personat që përmendet janë në hetim për veprat penale për të cilat akuzohen. Prokuroria besoj duhet të vijojë të godasë cdo individ duke e zhveshur nga cdo ngjyrë politike.

Sokol Balla: Bëri shumë bujë publikimi i videos ku shihen dy deputetët socialistë që godasin deputetin demokrat.

Adriatik Llalla: Rasti konkret është filluar mbi bazën e kallëzimit dhe prokuroria bëri veprimet e duhura hetimore në përfundim që të dy deputetët kishin goditur për shkak të detyrës deputetin tjetër. Bërja publike është bërë në përfundim të hetimeve ku rezultoi që deputeti është goditur për shkak të detyrës.

Sokol Balla: Po mund ta kenë goditur për një tjetër motiv. Mund të jenë sharë, se ne shqiptarët jemi gjaknxehtë, si incidenti juaj me prokurorin Hajdari në mbledhjen e prokurorëve.

Adriatik Llalla: Ka patur situatë të pakëndëshme të ndodhur në atë takim, por jo e shoqëruar me atë që thuhet në publik. Nuk kam konstatuar që të ketë një interes politik për t’u marrë me rastin në fjalë, aq më tepër që prokuroria ka në shqyrtim dhe merret me hetime tepër të rëndësishme hetimore ku priten rezultate konkrete nga puna jonë.

Sokol Balla: Keni deklaruar se keni dosje që trondisin të ardhmen e vendit, mund të thoni më shumë?

Adriatik Llalla: Punojmë cdo ditë në këtë drejtim për të mbledhur fakte, prova në ngarkim të personave të dyshuar si elementë të veprave penale, të krimit të organizuar, pastrim produktesh penale dhe vepra të tjera që përbëjnë pengesë drejt anëtarësimit në BE. Lufta ndaj krimit të organizuar është një sfidë dhe besoj që do të kemi sukses.

Sokol Balla: Si janë raportet me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe drejtuesin e tij Visho Ajazi?

Adriatik Llalla: Janë korrekte. Prokuroria ka marrëdhënie korrekte me të gjitha institucionet e tjera shtetërore.

Sokol Balla: Ka patur publikime për aktivitetin e SHISH për përgjime të paligjshme. A ka mundësi që SHISH të ketë përgjuar persona me imunitet, përfshirë kryeministrin, kryetarin e kuvendit dhe kryetarin e opozitës pa dijeninë tuaj dhe si mund të ketë ndodhur kjo?

Adriatik Llalla: Duke u nisur nga mënyra se si realizohet një përgjim, dua të theksoj faktin që cdo proces përgjimi nis me kërkesën e SHISH që bëhet për arsyen e përcaktuar në ligj. Cdo kërkesë e tyre paraqitet tek prokurori për t’u marrë në shqyrtim. Të gjitha rastet vendosin pas shqyrtimet, mjaft raste janë në proces përgjimi. Për rastin konkret prokuroria shqiptare nuk ka të dhëna konkrete që janë përgjuar zyrtarë të nivelit të ndryshëm. Ajo që është problematike dhe ne kemi kërkuar rregullim ligjor është fakti që pas dhënies së miratimit nga ana jonë, SHISH nuk është i detyruar të vendosë të dhënat për prokurorinë. Kjo problematikë kemi propozuar që kuvendi të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Sokol Balla: Ju po thoni që Sokol Balla ka një veprimtari të paligjshme dhe të përgjohet. Befas në bisedë rezulton Rama, Meta, Basha kjo i mundëson SHISH që përmes një personi të tretë të përgjojë zyrtarë të lartë?

Adriatik Llalla: Kjo është e pakufizuar nga ana ligjore. Kjo mund të ketë ndodhur.

Sokol Balla: Ka patur abuzim nga SHISH në këtë drejtim?

Adriatik Llalla: Rasti konkret ka qenë në komisionin parlamentar që ka arritur në përfundimet konkrete.

Sokol Balla: A keni në dosje tuaja hetimet për zyrtarë të lartë të qeverisë së sotme?

Adriatik Llalla:Kemi në proces hetimi, raste të zyrtarëve të aktualë, ashtu si të ish-zyrtarë të tjerë.

Sokol Balla: Në nivel ministri?

Llalla: Edhe në nivel ministri.

Sokol Balla: Të qeverisë aktuale?

Adriatik Llalla: Edhe të Qeverisë aktuale…Derisa bëhet fjalë për një ministër, normalisht ka lidhje me detyrën

Sokol Balla: Pra, ka lidhje me detyrën?

Adriatik Llalla: Nëse do ta përmendim ndryshe, do të përmendim emrin e ministrit

Sokol Balla: Bëhet fjalë për aktivitet të mëparshëm, apo aktual?

Adriatik Lalla: Aktual

Sokol Balla: Po për cfarë bëhet fjalë?

Adriatik Llalla: Cështje, të cilat janë ende në fazat fillestare të hetimit, nuk mund të japim detaje të mëtejshme

Sokol Balla: Emrin e ministrit socialis, nuk do ma thoni? Atë që po pritet ta arrestoni

Adriatik Lalla: Nuk thashë që do ta arrestojmë, do ta hetojme

Sokol Balla: Por edhe mund ta arrestoni

Adriatik Llalla: Nëse do të rezultojë se është përgjegjës, me siguri…

Sokol Balla: Një pjesë e debatit është reforma në drejtësi. Cili është qendrimi juaj për këtë reformë?

Adriatik Llalla: Prokuroria ka qenë pjesë e këtyre tryezave dhe ka dhënë opinionet e veta për këtë. Ne kemi njerëz, asistencën e partnerëve tanë në këtë drejtim dhe kemi dhënë orientimet tona për mënyrën se si duhet organizuar kjo reformë.

Sokol Balla:  Po për Byronë Kombëtare  të Hetimit?

Adriatik Llalla: Është në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse gjykata do të vendosë për ngritjen e saj, do ta respektojmë.

Sokol Balla: Qeveria ka nisur një aksion kundër paligjshmërisë si në ndërtimet pa leje dhe energjinë. Ku është prokuroria?

Adriatik Llalla: Prokuroria ka mbështetur aksionet dhe prokurorët kanë marrë urdhër për hetim të plotë të të gjitha rasteve të referuara. Sa i përket vjedhjes së energjisë elektrike ka një numër të madh të rasteve të referuara. Në rastet kur veprimet e policisë nuk kanë qenë të ligjshme kemi urdhëruar lirimin e personave të arrestuar në mënyrë të paligjshme.

Sokol Balla: Në këtë studio në intervistën e parë kur sapo ishit zgjedhur keni deklaruar se përpara ligjit të gjithë do të ishin të barabartë. Sa e keni realizuar?

Adriatik Llalla: Besoj se e kam realizuar.

Top Channel