Hollande: Largohem nëse dështoj për papunësinë

07/11/2014 00:00

Presidenti francez, Francois Hollande është shprehur se nuk do të rikandidojë në zgjedhjet e vitit 2017 nëse do të dështojë për të ulur papunësinë.

Në një intervistë televizive, Hollande pranoi se ai kishte bërë gabime që prej marrjes së detyrës në vitin 2012, por u zotua se deri në fund të mandatit do të reformojë ekonominë.

BBC shkruan se intervista është para gjerësisht si një përpjekje e Presidentit francez për të ringjallur popullaritetin e tij, i cili sipas anketave të fundit ka rënë ndjeshëm, ndërsa mbështetja ndaj ekstremit të djathtë, Frontit Kombëtar të udhëhequr nga Marine Le Pen, ka shënuar rritje. Aktualisht papunësia në Francë është 11 për qind.  

Duke iu referuar premtimeve të dështuara, siç është papunësia, ai ka thënë se do të bëjë ta pamundurën në pjesën e mbetur të mandatit. Ai premtoi gjithashtu se duke filluar nga viti i ardhshëm nuk do të ketë taksa shtesë për askënd.

Presidenti francez është përballur në programin televiziv me pyetje nga një panel gazetarësh dhe nga publiku. Sipas BBC Hollande thuajse gjatë gjithë intervistës dukej i tensionuar dhe kulmi i tensionit tek ai arriti në momentin kur një prej anëtarëve të publikut e kritikoi gjuhën e përdorur, të cilën ai e cilësoi tepër zyrtare dhe i kërkoi Presidentit ‘të flasë frëngjisht’.

Top Channel