Zgjidhja e krizës, presidentja takon liderët

07/11/2014 00:00

Pavarësisht përpjekjeve të gjithanshme për të arritur ndonjë zgjidhje për të dalë nga kriza politike në Kosovë, ajo vetëm sa është thelluar edhe më tej. Me krizën politike tanimë kanë filluar të merren gjitha ambasadat me ndikim tek politikanët kosovarë.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda procesit se koalicioni i gjerë po shihet si mundësi nga shtetet e kuintit, SHBA, Itali, Francë, Gjermani, Britani e Madhe për të dalë nga kriza.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga brenda 24 orëve të fundit ka zhvilluar takime të ndara një herë me krerët e LDK-së dhe AAK-së e më pas, mesditën e së premtes me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi.

Burime të Top Channel kanë bërë të ditur se Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj i kanë thënë Jahjagaës se mund ta votojnë kryeparlamentarin e PDK-së, në rast se ajo u garanton atyre mandatimin për formimin e qeverisë, pas dështimit të PDK-së që ata e parashikojnë në radhën e parë të formimit të qeverisë.

Por mësohet se Jahjaga u ka dhënë përgjigje negative Mustafës e Haradinajt, duke u thënë se nuk mund ta paragjykojnë procesin e formimit të institucioneve.

Presidentja kosovare u ka kujtuar liderëve të Bllokut se nëse dështon mandatari i parë që ta formojë qeverinë, herën e dytë, ashtu siç e parasheh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të sigurohet gjithëpërfshirje.

Në këtë pikë, ajo u ka kujtuar Mustafës dhe Haradinajt se Lista Serbe ka paralajmëruar bojkot të një qeverie ku do të ishte edhe Vetëvendosje pjesë e saj e që ka kërkuar të drejtojë bisedimet Prishtinë-Beograd.

Edhe me kryeministrin Thaçi është biseduar po ashtu për tryezën e përbashkët që kërkon të zhvillojë presidentja dhe zhvillimet politike të orëve të fundit.

Pas takimeve me liderët partiakë, presidentja kosovare po përpiqet t’i bindë ata që të ulen të gjithë së bashku dhe të diskutojnë për një zgjidhje të përbashkët. Ndërkohë nga ana tjetër, takimet mes liderëve të Bllokut kanë vazhduar edhe të premten ndërsa liderët e tij kanë thënë se nuk kanë bërë ndonjë ndryshim të marrëveshjes.

Në mesditë është takuar kreu i LDK-së Isa Mustafa me atë të Nismës, Fatmir Limaj, ndërsa një ditë më parë Mustafa ishte takuar kokë më kokë edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush haradinaj.

Top Channel