SHBA: ISIS po tërhiqet

07/11/2014 00:00

Për Shtetet e Bashkuara sulmet ajrore ndaj bazave të ISIS-it në Siri dhe Irak po japin rezultatet e dëshiruara.

Gjenerali Lloyd Austin, i cili drejton operacionin kundër xhihadistëve, tha për CNN se bombardimet ajrore synojnë të shkatërrojnë logjistikën ushtarake të grupit terrorist.

“Jam i bindur që kemi rezultatet e pritura në Irak dhe Siri. Synimi ynë ka qenë dhe është të heqim mundësitë e armikut për të komanduar dhe kontrolluar në zonat ku shtrihet, mundësinë për të lëvizur trupat nga njëri rajon në tjetrin, sidomos nga Siria në Irak”, tha Austin.

Gjenerali konfirmoi sulmet e ajrore të një dite më parë kundër një grupi të njohur si Khorasan, që besohet se ka lidhje të forta me Al Kaedan.

“Ata kanë frikë që të grupohen në formacione të mëdha sepse e dinë që ne i shohim dhe i vëmë menjëherë në shënjestër”, tha Austin.

Për gjeneralin e lartë të Pentagonit koalicioni ndërkombëtar kundër ISIS-it ka përparuar ndjeshëm dhe se xhihadistët ndodhen në tërheqje të vazhdueshme dhe në vështirësi për t’u rigrupuar.

Top Channel