“Isha truproja i Kim Jong il”

07/11/2014 00:00

Të jesh truprojë e udhëheqësit të Koresë së Veriut duhet të kalosh nëpër ferr më parë. Të thyesh tulla me kokë, të durosh thyrjen e gurëve me varre mbi gjoksin tënd dhe të thyesh vazo qelqi apo porcelani me një gisht.

Përgatitja fizike është pjesë e propagandës së vendit komunist, por më shumë se sa për t’u përballur me kundërshtarin, gjithë çelësi i sfidave dhe testimi që bëhet për të mbrojtur udhëheqësit synon besnikërinë.

Një ish-truprojë i Kim Jong Il rrëfen se i është dashur një sforcim mbinatyror për të qenë në lartësinë e duhur për të mbrojtur ish-udhëheqësin e Koresë së Veriut.

“Është një stërvitje e vështirë. Pse bëhet? Bëhet për të ndërtuar besnikërinë. Një armë nuk është e mjaftueshme për të fituar luftën dhe taekëondo mban një moral të lartë, por të gjitha këto krijojnë besnikërinë, asgjë më shumë”, thotë ai për CNN.

Por përgatitja fizike nuk është e vetmja. Pjesa më e vështirë është pjesa ideologjike dhe lavazhi i trurit.

“Jam trajnuar për të besuar që Kim Jong iL ishte një Zot dhe se arsyeja e vetme pse unë kisha ardhur në këtë jetë ishte për t’i shërbyer dhe mbrojtur ‘udhëheqësit të dashur”, shton ai.

Lee Young-guk thotë se ka shërbyer për 10 vite për Kim Jong Il, një periudhë e mjaftueshme për ta njohur se cfarë njeriu ishte.

“Ishte një njeri me dy fytyra, të mbulonte me ar kur ishte i lumtur dhe me vdekje kur ishte i mërzitur”, rrëfen ish-truproja.

Lee Young-guk rrëfen edhe një tjetër detaj interesant. “Para se të takoheshin me udhëheqësin, 60-70 këshilltarët e tij shtriheshin në bar për të hequr pluhurin që mund të kishin nëpër kostume. Ata ishin të tmerruar sepse Kim Jong-il nuk e kishte problem të urdhëronte një pushkatim, edhe kur ishte i lumtur”.

Lee ishte në dijeni të tiranisë së Kim Jong il kur ishte truprojë e tij, por vetëm kur arratis për në Korenë e Jugut e kuptoi se ai ishte një ‘monstër e vërtetë’, ashtu sic ishte para tij i ati, Kim il Sung. Por ish-truproja paralajmëron se më mizori nga të gjithë është Kim Jong-un, diktatori aktual i Koresë.

“Vrau xhaxhain e vet, një veprim që as Kim Jong il nuk mund ta bënte. Sa më shumë trashëgohet pushteti, aq më mizor bëhet. Kim Jong un ka krijuar besnikëri rreth vetes, por është besnikëri false, e bazuar në frikë”, thotë ai.

Top Channel