Luiza Xhuvani “braktis” djalin, Kostandinin e takon motra dhe halla

07/11/2014 00:00

Motra dhe halla e Kostandin Xhuvanit ishin dy personat që shkuan për ta
takuar këto ditë që ai ndodhej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Burimet policore thanë për gazetën “Shqip” se as nëna dhe as babai i autorit të dyshuar të vrasjes së Arbër Demirajt, Edison Jahos, Enea Xhajt dhe Paolo Azolës, nuk kanë preferuar të paraqiten pranë Policisë së Tiranës, për të takuar të birin.

Këtë boshllëk familjar e ka mbushur Sara, motra e Kostandinit, e cila bashkë me hallën, u ndodhën pranë të riut, në këto çaste të vështira për të. I ndodhur në një situatë të rëndë, Xhuvani mësohet se kishte pritur që prindërit të ishin prezentë, por gjithsesi është shprehur se i mirëkuptonte për çdo vendimmarrje të tyre. Kësisoj, ish-deputetja e Partisë Socialiste të Sarandës dhe regjisori i njohur, duket sikur paraprakisht e kanë “braktisur” djalin, duke ia lënë drejtësisë të vendosë për fatin e tij. Në daljen e saj publike, kur la mandatin e deputetes, Luiza Xhuvani u shpreh mes të tjerave se “Edhe unë, edhe Gjergji, përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy, njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit, prindër që si çdo prind, dëshiron më të mirën për fëmijën e vet, por me sa duket paskemi qenë të pafat në këtë drejtim. Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është tragjike, por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë nëna e tij, ushtroj”. Motra dhe halla, përveç bisedave familjare, mësohet se i kanë lënë disa ushqime, duhan dhe veshmbathje.

 

Dëshmia mohuese

Gjatë ditëve të qëndrimit në ambientet e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Kostandin Xhuvani, ka tentuar të krijojë një alibi, aspak bindëse dhe krejt të pajustifikuar. Në pritje të analizave toksikologjike, teksa paraprakisht të gjitha dyshimet janë se ndodhej nën efektin e narkotikëve dhe pijeve alkoolike, grupi hetimor e ka ballafaquar menjëherë 26-vjeçarin me të gjitha provat, prej të cilave nuk kishte asnjë rrugë shpëtimi. Asnjë shitës duhani, në zonën e “Bërrylit”, qoftë edhe ndonjë dyqan apo lokal 24-orësh, nuk ia ka konfirmuar blerjen e cigareve në orën 4 të mëngjesit, kamerat e bizneseve dhe ajo e Rrugës së Elbasanit e ka fiksuar kur hyn një herë të vetme dhe del pas masakrës, baruti në dorë, shenjat e gishtave në armë, qitjet e pistoletës konfirmojnë një autor dhe mbi 10 dëshmi (stafi i lokalit, klientë, miqtë e tij dhe policë) e fajësojnë gjithashtu. Prania e avokatit dhe këshillimi për të mos folur më, duket se e kanë bindur Xhuvanin të heshtë, nga tani e tutje, në pritje të zhvillimit të seancave gjyqësore.

Vrasjet

Mëngjesi i së martës e gjeti Tiranën me 4 të vrarë, ku në lokalin e natës “Ante Grand”, 6 persona u përfshinë në sherrin që nisi për drogën. Arbër Demiraj, Kostandin Xhuvani, Erald Sida dhe Albano Bllacaj ishin ulur në një tavolinë, kur nisën përplasjet me tavolinën tjetër, ku ndodhej Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Më parë mes tavolinave u shkëmbyen pije si shveps, xhin dhe birra. Pas grindjes jo të zhurmshme, Xhuvani dhe Demiraj dolën jashtë, ku morën pistoletën, teksa Kostandini hap derën dhe qëllon në dalje Jahon. Plumbi tejshpues në zemër vret edhe Enean, të cilët qëllohen edhe në kokë. Nga plumbat rikoshet mbetën të vrarë edhe Arbër Demiraj, djali i prokurorit Skënder Demiraj dhe shtetasi italian, Paolo Azzola. E gjithë skena është rrëfyer nga dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes.

Top Channel