Japoni-Kinë, zbuten tensionet për ishujt

07/11/2014 00:00

Kina dhe Japonia vendosën të ulin tensionet mes tyre për një grup ishujsh të vegjël dhe të pabanuar në Detin e Kinës Lindore.

Zyrtarët në Pekin njoftuan ngritjen e një mekanizmi të përbashkët mes dy vendeve për menaxhimin e krizës. Detyra e këtij mekanizmi do të jetë parandalimi i përshkallëzimit të tensioneve diplomatike.

Ishujt e njohur si Diayu nga Kina dhe Senkaku nga Japonia ndodhen në një zonë strategjike si për transportin, ashtu edhe për pasuritë që ruan nëntoka e oqeanit, ku besohet se ‘fshihen’ sasi të mëdha nafte dhe gazi.

Lëvizja diplomatike mori notat maksimale nga mediat e të dyja vendeve, që thonë se kjo mund të pasojë edhe me një takim mes kryeministrit japonez, Shinzo Abe dhe presidentit kinez, Xi Jinping që javën e ardhshme gjatë samitit të vendeve të Azisë Jug-lindore, APEC që mbahet në Pekin.

Nëse do të realizohet takimi do të jetë i pari mes dy udhëheqësve që nga koha e zgjedhjes së tyre, përkatësisht Jinping në 2012 dhe Shinzo Abe një vit më vonë.

Ministria e Jashtme kineze tha në një deklaratë se është arritur një marrëveshje me 4 pika me homologët japonezë ku dy palët njohin “diferencat në qendrimet e tyre” mbi sovranitetin e ishujve, por zotohen që të ulin tensionet dhe të shmangin përplasjet nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm.

Dy vitet e fundit tensionet për sovranitetin e ishujve kanë shkaktuar rindezur ndjenjat nacionaliste në të dyja vendet dhe ka dëmtuar më së shumti dy ekonomitë e rënditura në vendin e dytë dhe të tretë në rank botëror.

Top Channel