Kievi: Tanke ruse në lindje të vendit

07/11/2014 00:00

Qeveria e Kievit pretendon se një autokokolonë prej 32 tankesh, si edhe 30 kamionësh ushtarakë, ka depërtuar në territorin e lindjes në Ukrainë. Por jo vetëm, edhe zëra nga NATO konfirmojnë situatën e rënduar, kryesisht në Donjeck, ndërsa 7 njerëz kanë humbur jetën në përplasje me forcat rebele.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i ushtrisë ukrainase u shpreh se shtimi i vazhdueshëm i pajisjeve ushtarake dhe mercenarëve rusë po bën që vendasit të humbasin toruan.

Ndaj, në kundërpërgjigje, presidenti ukrainas Poroshenko urdhëroi trupa shtesë në vijën e frontit. Rusia nuk ka dhënë asnjë koment mbi këtë çështje. Ditën e premte u mbajt funerali për dy djem të vegjël, të cilët u vranë nga separatistët teksa luanin futboll, në një fushë të shkretuar të Donjeckut.

Më herët, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, u shpreh e shqetësuar për situatën e Ukrainës dhe tha se unioni shumë shpejt do të vejë në zbatim politika të reja mbi paktin e dështuar të paqes së nënshkruar në Minsk të Bjellorusisë.

* Që prej 5 shtatorit në fuqi është një armëpushim i brishtë i arritur në Minsk mes Ukrainës, Rusisë dhe Bashkimit Europian. Por luftimet sporadike nuk janë ndërprerë dhe palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar palër ranë dakort për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në dy rajonet problematike, por sipas ligjeve dhe Kushtetutës ukrainase.

Dy udhëheqësit të rebelëve pro-rusë u vetëshpallën fitues në zgjedhjet e zhvilluara në Donetsk dhe Luhansk. Një rebel me profesion ish-elektriçist, Alexander Zakharcenko fitoi lehtësisht zgjedhjet dhe shpallet kreu i “Republikes Popullore” të Donjeckut, ndërsa Igor Plotnisky u zgjodh kryetar në të vetëshpallurën “Republikë” e Luhanskut.

Perëndimi e cilëson si të paligjshëm procesin e votimit, por Moska e mbështet atë.

Që prej muajit prill rreth 4 mijë persona kanë humbur jetën nga luftimet në Lindje. Kievi akuzon Rusinë për armatosjen e separatistëve, madje edhe për dërgimin e trupave në këto rajone, por Kremlini mohon përfshirjen në të.

Top Channel