SHBA, papunësia ulet në 5.8 përqind

07/11/2014 00:00

Ekonomia amerikane vazhdon rimëkëmbjen e saj dhe për tetorin të dhënat
tregojnë një ulje të nivelit të papunësisë në 5.8 përqind.

Ekonomia më e madhe në botë krijoi për këtë muaj 214 mijë vende të reja pune. Shifra është pak më e vogël se parashikimi i analistëve, por e mjaftueshme për të konfirmuar momentin e mirë të ekonomisë, falë edhe stimujve fiskalë të ndërmarra nga Federal Reserve dhe qeveria amerikane.

Megjithatë pasiguritë, ndonëse janë reduktuar ndjeshëm mbeten sërish prezente.

Të dhënat optimiste sa i përket punësimit mbërrijnë pak kohë pasi Departamenti i Bujqësisë dha një tablo të zymtë, sipas të cilës numri i amerikanëve që sigurojnë me vështirësi ushqimin vazhdon të jetë në nivelin më të lartë historik.

Mbi 17 milionë familje nuk e kishin të siguruar ushqimin vitin që shkoi. Kjo shifër mbetet e pandryshuar që prej 2008-s, si dëshmi e pakundërshtueshme e faktit që ekonomia e përmiresuar e vendit nuk e ka shtrirë efektin tek të gjithë.

Por edhe pse krahasuar me vitin 2010, sot numri i të papunëve ka rënë, statistikat e reja tregojnë se pasiguria e ushqimit u shtua bashkë me reçesionin e që prej atëherë mbetet në pragun e vet historik.

Përgjatë këtyre viteve, çmimi i ushqimeve në Shtetet e Bashkuara është rritur ndërsa pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm. Sarah Auth, e cila punon si kuzhiniere i tha “Zerit të Amerikës” se rroga e saj nuk i mbulon gjithmonë pagesat e faturave.

Top Channel