Jeruzalem, përforcohet siguria

07/11/2014 00:00

Izraeliti i plagosur pasi u përplas nga një fugon në Jeruzalem, më herët gjatë javës, ka ndërruar jetë në spital, bënë të ditur mjekët, ndërkohë që siguria është përforcuar në qytet për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e tensioneve, kur muslimanët të mblidhen për lutjet e së premtes.

Policia izraelite ka ngritur barrikada që mëngjesin e së premtes në hyrjen “Porta e Damaskut” të Qytetit të Vjetër të Jeruzalemit, për t’i bërë parapri trazirave të mundshme, pas problemeve të shfaqura në Malin e Tempullit, apo Haram al-Sharif.

Megjithatë, disa prej kufizimeve janë lehtësuar, duke qenë se forcat izraelite lejojnë të gjithë burrat mbi 35 vjeç dhe të gjitha gratë të hyjnë në vendin e lutjeve.

Policia izraelite u përplas të mërkurën me të rinj palestinezë në vendin e shenjtë, duke lënë më shumë se 15 persona të plagosur, sipas ndihmës-mjekësve të Kryqit të Kuq.

Ajo ditë shënoi përplasjet e fundit, që kur aktivisti izraelit, rabini Yehuda Glick, u plagos rëndë teksa kërkonte më shumë të drejta për hebrejtë në vendin ku, hebrejtë mblidhen por nuk luten. Policia izraelite qëlloi për vdekje një të dyshuar për sulmin ndaj Glick.

Top Channel