Ushtria Çlirimtare Kombëtare merr përgjegjësinë për sulmin me granata ndaj selisë së qeverisë së Maqedonisë më 28 tetor.

Kështu shkruan në një komunikatë me emblemën e UÇK-së, që është dërguar në postën elektronike të televizionit Alsat M në Shkup nga “Debatik Sharri”.

Më tutje në komunikatë thuhet se, mbrëmjen e 28 tetorit , nga ora 20.30 deri në orën 21 njësiti elitar “Hasan Prishtina”, në mënyrë të koordinuar goditi godinën e qeverisë dhe gjykatës, ndërsa në fokus kishte edhe një stacion policor në Shkup.

Por ky aksion u anulua për të ruajtur jetët e qytetarëve. Në këtë komunikatë, e firmosur nga një person me nofkën Kushtrimi, është bërë edhe një deklaratë politike, ku thuhet se Marrëveshja e Ohrit nuk po gjen zbatim dhe se terrori maqedonas i qeverisë shoveniste ka zbritur deri në familjet shqiptare.

“Shqiptarët sot në Maqedoni po jetojnë natën e akullt. Ata ballafaqohen me procese të montuara, kurse grupe huliganësh të orkestruar nga segmente shtetërore dhunojnë familje, lagje e fëmijë shqiptarë”, thuhet në komunikatë.

Përmes këtij dokumenti ftohet faktori ndërkombëtarë që të ndërhyjë dhe i bëhet thirrje politikanëve shqiptarë, veçanërisht atyre në qeveri që të shohin me realizëm gjendjen e mjerë të popullit shqiptar në Maqedoni.

“Qeveria shovene maqedonase rrugëton çdo ditë drejt folesë ruse përmes rrugës serbe. Shqiptarët nuk e duan këtë, pasi vetëm integrimi në strukturat Euro-Atlantike e çojnë rajonin përpara. Ne duam që ashtu siç ndajmë fate e hapësira të njëjta të ndajmë dhe liri e mundësi të njëjta”, thuhet në deklaratën politike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Top Channel