Spanja, Del Bosque “i bën qejfin” Mourinhos

07/11/2014 00:00

Sulmuesi spanjoll i Chelseat, Diego Costa, është lënë jashtë kombëtares për 2 ndeshjet e radhës ndaj Bjellorusisë dhe Gjermanisë.

Përgatitja e sulmuesit ka qenë një nga shkaqet kryesore deri më tani, ndërkohë që problemet me gjurin që ka pasur tek Atletico Madrid ende e shqetësojnë atë. Madje, muajin e kaluar trajneri portugez i londinezëve, Jose Mourinho, tha se problemet e tij janë shkaktuar nga puna e fortë me Spanjën.

I pyetur nëse ai mendonte se tashmë Costa kishte kapur formën e tij më të mirë, ai u përgjigj sërish me ironi, duke thënë se “gjithsesi ai do të luajë sërish më kombëtaren në nëntor”, duke lënë të kuptohet se do të kishte përsëri probleme me të.

Megjithatë, trajneri i kombëtares së Spanjës, Vicente del Bosque, e ka lënë jashtë grumbullimit 25-vjeçarin, një lajm që me siguri do ta kënaqë pa masë Mourinhon. “Costa ende nuk ndihet mirë prej disa problemeve”, tha Del Bosque, teksa shpallte listën e të grumbulluarve përmes faqes zyrtare të ekipit kombëtar. Megjithatë, ai nuk pranoi ekzistencën e ndonjë problemi të rëndësishëm. “Ai është i pari që kërkon të luajë me ne, por idea jonë është që të 23 lojtarët e grumbulluar të jetë të disponueshëm për të luajtur, jo për të qëndruar në stol”.

Spanja do të luajë të shtunën e ardhshme me Bjellorusinë, pasi si rrallë herë këto vitet e fundit nuk gjendet në krye të grupit C, pas humbjes me Sllovakinë kryesuese. Më pas, “La Roja” do të ndeshet me kampionët e botës, Gjermaninë, në një miqësore ditën e martë.

Lojtarët e grumbulluar: Casillas, De Gea, Casilla, Juanfran, Azpilicueta, Ramos, Pique, Albiol, Bartra, Alba, Bernat, Busquets, Camacho, Koke, Cazorla, Fabregas, Callejon, Nolito, Morata, Alcacer, Pedro, Raul Garcia, Isco.

Top Channel