Aksion anti-krim, mbyllen 400 faqe interneti

07/11/2014 00:00

Mbi 400 faqe interneti, mes të cilave Silk Road 2.0, janë mbyllur nga autoritetet nën dyshimin se shisnin objekte ilegale si drogë dhe armë.

Web sitet në fjalë vepronin në rrjetin Tor, një pjesë e internetit që nuk mund të arrihet përmes motorëve tradicionalë të kërkimit.

Operacioni i përbashkët i 16 vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara ka çuar në arrestimin e 17 personave, mes të cilëve Blake Benthal, personi që thuhet se fshihet prapa faqes Silk Road 2.0.

Ekspertët janë të bindur se mbyllja e gjithë këtyre faqeve përbën një goditje të rëndë për kriminalitetin elektronik.

Tor është shtëpi e mijëra tregjeve ilegale, ku trafikohen drogë, foto të fëmijëve të abuzuar seksualisht, si dhe faqe për grupe ekstremiste.

Operacioni i parë që shënoi dhe suksesin më të madh në betejën kundër përdorimit kriminal të internetit ishte ai i vitit të kaluar, që goditi shit-blerjen e drogës në Silk Road.

Operacioni i fundit, edhe më i gjerë dhe me bashkëpunimin global të agjencive ligjzbatuese, e ka çuar në një nivel tjetër luftën me kriminalitetin kompjuterik.

Ekspertët e cituar nga agjencitë e huaja të lajmeve deklarojnë se, vlen të përmendet se “dark net” nuk është një rrjet që shërben vetëm për aktivitete ilegale.

Ata kanë sqaruar se ai është një vegël që mundëson anonimatin e përdoruesve, i krijuar nga shërbimi amerikan i inteligjencës për të ndihmuar operacionet e saj dhe për të kontaktuar me njerëz që jetojnë nën regjimet represive.

Top Channel