Arrestimet shtojnë arketimet për energjinë

07/11/2014 00:00

Në ditën e dhjetë të aksionit të qeverisë kundër vjedhësve të energjisë
elektrike, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri thotë se arkëtimet pranë
OSHEE janë rritur si nga bizneset ashtu dhe nga konsumatorët familjarë.

“Kemi një rritje të arkëtimeve prej 540 milionë lekë ose 52 % më shumë se një javë më parë. Kjo rritje është reflektuar tek segmentet private në masën 281 milionë lekë ose 61 për qind më shumë dhe konsumatorët familjarë, 258 milionë lekë ose 44 për qind më shumë se një javë më parë”, tha Gjiknuri.

Ministri thotë se policia ka arrestuar dhe kallëzuar me qindra abuzues, kryesisht sipërmarrës si dhe 31 punonjës të operatorit të shpërndarjes që kanë bashkëpunuar në vjedhjen e energjisë. Në ditët në vijim operacioni do të hyjë në fazën e dytë, atë të kontrollit të konsumatorëve familjarë.

“Përmes një plani të detajuar që është përfunduar këto ditë nga Operatori i Shpërndarjes me Policinë e Shtetit, do të hyhet në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo zonë të Shqipërisë, do të ketë verifikime dhe kontrolle të njëpasnjëshme, për të identifikuar të gjithë abuzuesit e lidhjeve të paligjshme dhe vjedhësit e energjisë elektrike.Madje, do të ketë edhe kontrolle verifikuese për vetë punën e kryer nga strukturat e OSHEE-së”, theksoi Gjiknuri.

Duke iu drejtuar opozitës, ministri Gjiknuri tha se çdo kërkesë për amnisti apo thirrje për protestë e opozitës ka për qëllim të pengojnë reformën në sektorin energjetik.

“Ata njerëz që janë përgjegjës pse e sollën situatën energjetike në një katastrofë të vërtetë, madje në një emergjencë kombëtare, siç e thanë edhe dje vetë, janë njerëzit që duhet të heshtin dhe duhet të përkrahin këtë aksion kaq të rëndësishëm”, theksoi ministri.

Top Channel