F1, Marussia largohet, 200 vetë të papunë

07/11/2014 00:00

Ndërkohë që skuderitë e Formula 1 bëhen gati për garën e parafundit të këtij sezoni, në Sao Paulo të Brazilit, njëra prej 11 ekipeve pjesëmarrëse në sportin e automobilizmit është detyruar më në fund të ndalet.

Duke e pasur të pamundur të merrte pjesë në Çmimin e Madh të SHBA-ve, në Austin, për shkak se iu dorëzua administrimit prej pamundësisë për të mbuluar kostot, Marussia është tërhequr përfundimisht, duke shkaktuar kështu humbjen e 200 vendeve të punës, kjo pasi administratorët nuk mundën të gjenin investitorë të rinj.

“Nuk mund të mos e themi se është një keqardhje e thellë, që një biznes me kaq shumë shikueshmëri në Britani dhe në elitën e sportit të automobilizmit të mbyllë dyert e tij”, tha Geoff Rowley, bashkëadministrator dhe partner i kompanisë këshilluese “FRP Advisory”.

“Edhe pse ekipi bëri një progres domethënës gjatë periudhës së shkurtër të operimit, të drejtosh një skuderi në Formula 1 kërkon investime shumë më të qenësishme. Për fat të keq, asnjë zgjidhje nuk mund të gjendet për të lejuar këtë biznes të vijojë nën këtë situatë”.

Punonjësit e Marussias janë paguar deri në fund të muajit tetor, ndërkohë që “FRP” ka premtuar se do të asistojnë stafin, që kanë mbetur tashmë të papunë, me mbështetjen e nevojshme për pretendimet e tyre.

Vetëm disa gara më parë, piloti i Marussias, Jules Bianchi, pësoi dëmtime të rënda në kokë pas një përplasjeje në Çmimin e Madh të Japonisë. Ai mbetet ende në spital në gjendje kritike, por në kushte të qëndrueshme.

Sezoni aktual i Formula 1 përfundon në Abu Dhabi më 23 nëntor.

Disa fakte mbi Formula 1

*F1 gjeneroi rreth 1,7 miliardë dollarë në vitin 2013, megjithatë kjo nuk e ndali tërheqjen e Marussias nga ky biznes. Skuderia u tërhoq të premten, ndërsa Caterham gjendet gjithashtu nën administrim.

*Pjesa e të ardhurave për 11 ekipet e këtij sezoni, nga 1,7 mld dollarë gjithsej, përllogaritet në rreth 900 milionë dollarë. Marrëveshja aktuale komerciale i detyron ekipet me këtë ndarje të ardhurash deri në vitin 2020.

*Bosi i F1, Bernie Ecclestone, ka paralajmëruar se nëse kriza financiare në këtë sport nuk gjen zgjidhje, atëherë ndoshta vetëm 14 makina do të garojnë në vitin 2015.

*Kostot për një skuderi të F1 janë astronomike. Bosi i Lotusit, Gerard Lopez, deklaroi se vetëm pakoja e re e motorëve për vitin 2014 kushton rreth 50-60 milionë dollarë.

*“Nëse shihni buxhetin e Marussias, krahasuar me shpenzuesit e mëdhenj të këtij sporti, pak rëndësi nëse është Ferrari apo Red Bull, do të vëreni një diferencë prej 70 mln deri në 250 mln dollarë”, shprehet Toto Wolff, drejtor sportiv i Mercedesit.

Top Channel