Blloku heq dorë nga kryeparlamentari. Thaçi: Nuk ka zgjidhje të pjesshme. LDK kërkon drejtimin e qeverisë

07/11/2014 00:00

Blloku paszgjedhor në Kosovë ka bërë lëshimin e parë me qëllim zgjidhjen e ngërcit politik, duke hequr dorë nga posti i kryetarit të Parlamentit.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i subjektit Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili ka saktësuar se i kanë dërguar njoftim presidentes me propozime për zgjidhjen e ngërçit.

“Do të votojmë kryeparlamentrin e PDK-së për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së Bllokut paszgjedhor”, ka deklaruar Limaj për gazetarët.

Por nga ana tjetër, ai ka refuzuar të prononcohet nëse kandidati i Bllokut për kryeministër është ende Ramuh Haradinaj. “Blloku është unik”, ka qenë përgjigjia e Limaj ndaj pyetjes.

Thaçi: Para nesh dy opsione

Ndaj këtij lajmi ka reaguar kryeministri në detyrë Hashim Thaçi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka nënvizuar se para klasës politike tani ndodhen dy opsione.

“Zhvillimet e fundit politike tregojnë se jemi në fazën përmbyllëse të tejkalimit të ngërçit politik të krijuar në mënyrë arbitrare nga veprimet e nxituara dhe anti-kushtetuese të bllokut opozitar.

Opsioni i parë dhe më i miri është që të ulemi bashkë, ashtu siç ka kërkuar edhe Presidentja e Kosovës, dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë për vendin dhe qytetarët tanë të lodhur nga pritja.

Ndërsa opsioni i dytë është që të ulemi përsëri bashkë dhe të vendosim se kur të caktojmë daten për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

Zgjidhje të pjesshme dhe të improvizuara nuk do të ketë, sepse Kosova dhe qytetarët tanë duan qeveri legjitime, efikase dhe të qëndrueshme”, ka thënë Thaçi.

LDK kërkon udhëheqjen e qeverisë

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur të premten pasdite mbledhje me strukturat udhëheqëse partiake dhe deputetët e saj, për të diskutuar për tejkalimin e situatës politike.

Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë pas mbledhjes LDK ka deklaruar se e vlerëson si jetike themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe ndryshimin e qeverisjes në vend.

Me këtë rast, kjo parti bëri të ditur edhe qëndrimin e saj se dëshiron të udhëheqë qeverinë e re të vendit.

“LDK-ja, si prijëse e koalicionit të shumicës parlamentare, është e përcaktuar të punojë intensivisht për themelimin e qeverisë së re të vendit, të udhëhequr nga LDK-ja”, thuhet në komunikatën.

Top Channel