Pasuesi i Holder, Obama “zgjedh” Loretta Lynch?

07/11/2014 00:00

Loretta Lynch, prokurore e Brooklyn, pritet të jetë kandidatura e Presidentit Barack Obama për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-ve, bëjnë të ditur zyrtarë amerikanë me njohuri mbi këtë çështje për CNN.

Njoftimi pritet të bëhet zyrtarisht në ditët e ardhshme, edhe pse periudha duket disi e komplikuar për t’u përcaktuar, për shkak të planeve të Presidentit për të udhëtuar drejt Azisë këtë fundjavë.

Lynch është një prokurore me shumë popullaritet, e cila është në mandatin e dytë të saj si prokurore federale në qarkun lindor të Nju Jorkut, e emëruar nga Presidenti Obama në vitin 2010, dhe që ka shërbyer në të njëjtin post edhe gjatë viteve 1999-2001 nën Presidencën e Bill Clintonit.

Sekretari për shtyp i zëvendësit kryesor të Shtëpisë së Bardhë, Eric Schultz, tha për CNN se “ende nuk kemi ndonjë përditësim të fundit mbi personelin, por nuk do të spekuloj përpara kohe mbi vendimet e Presidentit, në një kohë kur ai nuk i ka prezantuar ende ato”.

Zyrtarët amerikanë thonë se vendimi i Presidentit nuk mund të merret si zyrtar, deri sa të bëhet njoftimi formal nga Shtëpia e Bardhë.

Lynch mund të jetë gruaja e dytë në histori që shërben në postin e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe e dyta afrikano-amerikane që mban këtë post. Lynch ka shërbyer gjithashtu në ekipin hetues dhe që arriti të dënonte oficerët e policisë së Nju Jork Sitit, për shkak se kishin shkelur të drejtat civile ndaj Abner Louima, një emigrant nga Haiti, të cilin policia e kishte keqtrajtuar.

Kjo eksperiencë mund të ndihmojë atë në krye të Departamentit të Drejtësisë, që pritet të shqyrtojë disa çështje të profilit të lartë mbi të drejtat e njeriut, përfshi ngjarjen e Fergusonit, ku një polic qëlloi për vdekje Michael Brown, një adoleshent me ngjyrë.

Top Channel