Susan Rice: Asnjë lloj bashkëpunimi me Iranin

07/11/2014 00:00

Këshilltarja për sigurinë kombëtare në SHBA, Susan Rice, ka bërë të ditur gjatë së premtes se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë në asnjë koordinim ushtarak me Iranin, për të luftuar forcat e Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme.

Rice, në një njoftim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë, iu përgjigj kështu një raporti të një dite më parë – të publikuar nga “Wall Street Journal” – se Presidenti Barack Obama i kishte shkruar një letër sekrete liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në lidhje interesin e përbashkët për të luftuar Shtetin Islamik, duke thënë se “nuk jemi të përfshirë në asnjë lloj mënyrë, në asnjë bashkëkoordinim, qoftë edhe ushtarak, me Iranin për të luftuar ISIL (siç i referohet administrata Obama Shtetit Islamik në Irak e Levant)”.

Rice tha gjithashtu se shqetësimet e SHBA-ve në lidhje me sigurinë kibernetike do të jenë të krye të axhendës, kur Presidenti Barack Obama të takohet me zyrtarë kinezë në Pekin, gjatë javës së ardhshme.

Rice tha se nuk ka asnjë plan për një takim formal mes Obamës dhe Presidentit rus Vladimir Putin, në samitin e G20-s, por ndoshta mund të ketë mundësi për diskutime informale.

Top Channel