Një “Pasdite” me Ermal Mamaqin

07/11/2014 00:00

Ermal Mamaqi deklaroi se vitin e ardhshëm do të ketë projekte të tjera me Digitalb-in përveç emisionit të suksesshëm “6 ditë pa Ermalin” dhe konsideroi se filmi “Femrat” është arritja më e madhe e karrierës së tij deri tani.

Në një intervistë të gjatë për “Pasdite në Top Channel”, aktori i humorit foli për familjen, muzikën dhe zbuloi kuriozitete dhe të ardhmen

Viti 2013
– Ishte viti i një ndryshimi të madh në jetën time. Në 4 janar unë dhe Ami morëm vesh që prisnim një fëmijë dhe që në atë moment dhashë dorëheqjen nga Apartamenti 2XL për të kaluar më shumë kohë me Amin. Por, atë vit u angazhova në fushatë dhe nënshkrova kontratën me Digitalb-in. Ishte një vit i shënuar për mua.

Djali
– I kushtoj aq kohë sa mundem. Luaj dy orë në mëngjes me të, nga ora 7 deri në orën 9. Pastaj luaj kur kthehem në 9 të darkës. Është motivim për t’u kthyer në shtëpi.

Bashkëshortja
– Të gjithë u habitën kur u lidha me Amin, por unë dua më të mirën dhe ajo është më e mira.

“6 ditë pa Ermalin”
– Për mua dhe stafin tim ishte realizimi i ëndrrës. Bëjmë atë që duam dhe kjo është dëshira e çdo artisti. Kontrata me Digitalb-in është më e madhja e karrierës sime dhe vitin që vjen do të ketë edhe projekte të tjera përveç emisionit. Formati është i frymëzuar nga formate të famshme në Amerikë. Me të ftuarit diskutojmë për pikat që do të prekim gjatë intervistës.

Karriera – Familja ime gjithmonë më kritikonte për sensin e humorit. Mamaja dhe babai më qortonin duke më thënë: “nuk do hash bukë me këto budallallëqe!”, por unë me këto po ha bukë dhe po ha mirë (qesh).
Humori është diçka e lindur, nuk mund të mësohet. Një njeri serioz dhe i qetë nuk e kultivon dot humorin edhe po të dojë.
Gjithmonë mund të përmirësohesh pasi në vendin tonë 80% e popullsisë është kritik arti dhe të shohin me lupë. Unë shoh shumë humor në internet dhe mundohem ta shqiptarizoj, por është shumë e vështirë.

Portokallia
– Ka qenë një dritare që më bëri të njohur. Aty kam mësuar shumë: si të sillem me publikun dhe me kolegët.

Filmi “Femrat” – Mendoj se ka qenë arritja ime më e madhe. U habita nga suksesi që pati filmi. Unë vetëm doja një film ku të isha aktori protagonist. Nuk e prisja të thyente rekorde shikueshmërie. Me lekët që u gjeneruan nga kinematë dhe nga shitja në Digitalb u paguan aktorët dhe stafi, ndërsa unë, regjisorja dhe producentët nuk morëm asnjë lek. Na mjafton suksesi që arritëm.

Muzika
– Është dobësia ime, më ngroh më shumë se aktrimi. Kur u shkëputa nga muzika duhet të ndërtoja biznesin dhe të ndërtoja profilin tim si aktor humori. Gjithsesi, herë pas here këndoj nëpër koncerte ku më ftojnë.

Top Channel