“Irani po pengon hetimet e IAEA”

07/11/2014 00:00

Irani ka dështuar të adresojë dyshimet e ndërkombëtarëve se ka punuar deri më tani për prodhimin e një bombe bërthamore, sipas raportit më të fundit të mbikëqyrësit të Kombeve të Bashkuara, duke komplikuar së tepërmi përpjekjet nga fuqitë botërore për të arritur një marrëveshje me Teheranin mbi programin bërthamor të tij.

Raporti i hartuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) bën të ditur se Teherani ende nuk ka ofruar informacionet që duhej ta kishte dhënë rreth 2 muaj më parë, për të ndihmuar në avancimin e hetimeve prej një kohe të gjatë të IAEA mbi kërkimet e dyshuara për armë bërthamore.

Dokumenti konfidencial është lëshuar për shtetet anëtare të IAEA, më pak se 3 javë nga afati i fundit i 24 nëntorit, brenda të cilit Irani dhe 6 fuqitë botërore synojnë t’i japin fund mosmarrëveshjeve prej një dekade mbi aktivitetet atomike të Republikës Islamike.

“Irani nuk ka dhënë asnjë shpjegim, që do t’i mundësonte agjencisë të qartësonte masat e pazgjidhura praktike”, thuhej në raport.

IAEA i referohej dy hapave që Irani kishte pranuar t’i ndiqte në fund të muajit gusht, duke dhënë informacione që do të jepnin shpjegime për akuzat ndaj testeve me eksplozivë dhe aktivitete të tjera, të cilat përdoren edhe për zhvillimin e bombave bërthamore.

Irani mohon çdo qëllim për të krijuar armë bërthamore, duke thënë se programi bërthamor i tij synon vetëm gjenerimin e elektricitetit.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara njoftoi se dy palët ishin takuar për herë të fundit më 2 nëntor në Teheran dhe se kishin rënë dakord të takoheshin sërish sa më shpejt të ishte e mundur, përpara afatit të 24 nëntorit. “Praktikisht nuk ka asnjë progres”, tha një diplomat me njohuri mbi dosjen e Iranit.

Negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë zhvillohen kryesisht mes Javad Zarif dhe ish-Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila pavarësisht se i mbaroi mandati më 1 nëntor do të vazhdojë të përfaqësojë fuqitë botërore në këto diskutime deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Top Channel