Cani: Monopol tregu i karburanteve

07/11/2014 00:00

Ministri i Finanancave, Shkëlqim Cani deklaroi publikisht se tregu vendas i karburanteve është i ngurtë dhe nuk reflekton uljen drastike të çmimit në bursa.

“Nga 1.100 dollarë që ishte në periudhën janar-shkurt 2013 jemi tek 777 dollarë. Një ulje drastike e çmimeve të karburantit në botë. Ndërkohë, vetëm 1 lek është ulja gjatë kësaj kohe tek ne, që tregon se tregu në vend nuk ka reaguar fare dhe nuk është fleksibël”, deklaroi Cani.

Erjon Braçe, kryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë, ka qenë edhe më i ashpër kur akuzoi se tregu është kapur nga monopolet, që sipas tij bëjnë edhe evazion.

“Ajo që mua më shqetëson është situata e përqendrimit të tregut të shitjes me pakicë të karburanteve në vend dhe mosreflektimi i çmimit në bursë në tregun e brendshëm. Shqetësim tjetër i madh është edhe niveli i tatim-fitimit që paguajnë këto kompani që kanë monopolin në këtë treg”, theksoi Braçe.

Ministri i Financave zbuloi se qeveria ka nisur një kontroll të posaçëm mbi tregun e karburanteve, jo vetëm për çmimet por edhe ligjshmërinë me taksat dhe cilësinë e produkteve.

“Qeveria nuk e ka lënë në harresë, ajo është marrë me këtë çështje. Është një grup i veçantë, ku bën pjesë edhe zv.ministri i Financave, që do të dalë me konkluzionet e veta për këtë çështje”, tha Cani.

Top Channel ka mësuar se grupi po heton transkasionet e tregut dhe të dhënat financiare të kompanive. Burime nga Financat thanë se pasi grupi të nxjerrë rezultatet përkatëse, qeveria do të ndërhyjë me masa shtrënguese për të disiplinuar tregun, sipas tyre historikisht problematik.

Top Channel