Tri kohë të Shqipërisë në “Time”

07/11/2014 00:00

Libri i ri i botuar nga “UET Press” i autores Belina Budini rrëfen një përmbledhje apo një pjesë të historisë së vendit tonë ndër vite, sipas revistës prestigjioze amerikane “Time”.

Autorja rrëfen se vendosi të bëjë këtë studim për shkak të impaktit që ka pasur në vendet e huaja prezantimi që i ka bërë revista “Time” imazhit të Shqipërisë ndër vite.

“Revista, si një media e larguar me subjektin e vendit tonë, është interesuar rregullisht për zhvillimet që lidhen me ngjarjet politike në vend, më tepër se sa ato që lidhen me aspekte kulturore, sociale dhe ekonomike. Pamja e krijuar është ajo e një vendi përherë të trazuar dhe anormal, pavarësisht nëse flasim për periudha historike me tipare thelbësisht të ndryshme”, tha autorja Belina Budini.

Një nga pjesëmarrësit që mbajti fjalën e rastit në promovimin e librit ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu. Ambasadori tha se në kohën kur studionte, apo përpara se të vinte në Shqipëri, revistat dhe mediat e mëdha amerikane, por kryesisht revista “Time”, ishin ato që i kishin krijuar atij imazhin e Shqipërisë.

“Kur dëgjova për këtë projekt që i referohet revistës ‘Time’, ajo që mendova automatikisht ishte periudha kur studioja në universitet. Në atë periudhë, ‘Time’ ishte ‘Bibla’ e gazetarisë së printuar dhe e publicistikës në përgjithësi. Kjo vazhdoi për shumë vite me radhë. Të lexoje këtë revistë do të thoshte të jetoje me historinë e një dite. Për një vend si Shqipëria, që ishte e mbyllur dhe e izoluar për shumë vite, raportimet nga revista kanë qenë një dritare shumë e rëndësishme për atë se çfarë ndodhte në Shqipëri”, u shpreh ambasadori amerikan Arvizu.

Top Channel