Mijëra banorë të Tetovës, të shqetësuar nga ndotja e lartë e ajrit në këtë qytet, kanë protestuar kundër vendimit të qeverisë për t’i vazhduar lejen e punës fabrikës së “Jugohromit”, që njihet si ndotësi më i madh i qytetit të Tetovës.

“Ne sot kemi dalë të protestojnë për shkak të ndotjes së ambientit me substanca kancerogjene për të gjithë qytetarët e Tetovës. Por këtu përfshihen edhe të gjithë qytetarët e Gostivarit. Vendimi i qeverisë për t’i dhënë leje fabrikës së Jugohromit, të punojë edhe për 2 vitet e ardhshme, mendoj se është një gabim shumë i hatashëm për të gjithë qytetarët”, tha një protestues.

“Ose të vendosen filtrat, ose të ndalet funksionimi i kësaj fabrike. Të tilla fabrika nuk na duhen, na duhen fabrika me standarde europiane”, shtoi një protestuese.

Organizatorët e protestave thanë se manifestimi i revoltës së qytetarëve në rrugë do të vazhdojë deri sa qeveria të vendosë mbylljen e fabrikës së “Jugohromit”, deri në përmbushjen e standardeve ekologjike.

“Jemi mbledhur këtu për të kërkuar një ajër më të pastër. Kërkojmë ajrin tonë që po helmohet nga pangopësia e disa personave, të cilët duan të krijojnë milionat duke na helmuar neve, fëmijët tanë, prindërit tanë dhe çdo gjë të gjallë mbi këtë vend. Ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të dorëzohemi dhe shpresojmë se një ditë do të bëhet më mirë. Nuk do të bëhet më mirë, nëse ne nuk e bëjmë më mirë”, tha Arianit Xhaferi nga OJQ “Eko Guerile”.

Në bazë të matjeve të fundit, prania e grimcave të dëmshme në ajër, PM10, në Tetovë është 6 herë më e lartë se sa norma e lejuar.

Top Channel