Papa: Mos u bëni “të krishterë paganë”

07/11/2014 00:00

Njerëzit të cilët shkojnë të dielave në kishë, por shpenzojnë gjithë pjesën tjetër të javës duke kultivuar përkushtimin e tyre ndaj parasë, pushtetit dhe krenarisë nuk janë gjë tjetër veçse “të krishterë paganë”, thotë Papa Françesku.

“Kur Shën Pali shkroi letrën e tij ndaj filipianëve, komuniteti i të krishterëve përbëhej nga dy grupe: të krishterë të vërtetë dhe ata që ishin ‘armiq të kryqit të Krishtit’”, tha Papa më 7 nëntor, gjatë predikimit të tij në meshën e mbajtur në “Domus Sanctae Marthae”, ku ai jeton.

“Të dy grupet shkonin në kishë së bashku, shkonin në meshat e të dielave, vlerësonin Zotin dhe e quanin veten të krishterë”, tha ai, siç bën të ditur Radio e Vatikanit. Por, disa prej tyre ishin “të krishterë materialistë, të krishterë vetëm në emër, me vetëm 2 apo 3 karakteristika të Krishtërimit, por asgjë më shumë. Me pak fjalë të krishterë paganë!”.

Papa Françesku tha gjithashtu se “ekzistojnë shumë njerëz të tillë. Dhe ne, gjithashtu, duhet të jemi të kujdesshëm të mos bëhemi si ta”, të krishterë vetëm në emër. Të jesh gjysmë i krishterë, “të mësuar me mediokritetin” përbën një rrezik për të gjithë njerëzimin, shtoi Papa.

Duke cituar pjesë të predikimit, Papa tha se Shën Pali fliste për të krishterë të vërtetë, të cilët kishin “qytetarinë” e tyre në qiell, ndërkohë që “të krishterët paganë” janë qytetarë me plotë gojë të kësaj bote.

Mënyra se si dikush mund të kontrollojë kombësinë e vet shpirtërore – sipas Papa Françeskut – është duke bërë disa pyetje: A më pëlqen të mburrem? A më pëlqejnë paratë? A më pëlqen krenaria?

Ose, siç deklaroi Papa, “A përpiqem të dua Zotin dhe t’u shërbej të tjerëve? Nëse ju jeni zemërbutë, nëse jeni të përulur, nëse jeni shërbëtorë të të tjerëve, atëherë jeni në rrugën e duhur. Dokumentet e shtetësisë suaj janë të rregullta dhe ato janë nga qielli!”.

Top Channel