ISIS, Obama dërgon edhe 1500 trupa në Irak

07/11/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka urdhëruar dërgimin e 1500 ushtarëve të tjerë në Irak, me detyrën për të trajnuar forcat irakiane dhe kurde për të luftuar xhihadistët e ISIS, duke e çuar numrin e përgjithshëm të trupave amerikane atje në 2900.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur përmes një deklaratë se do t’i kërkojë gjithashtu Kongresit një rritje financimi prej 5.6 miliardë dollarësh për luftën kundër ISIS. Trupat në fakt nuk do të kenë rol luftarak, por do të operojnë nga bazat që ndodhen jashtë Bagdadit dhe Erbilit.

“Presidenti mori këto vendime me kërkesë të qeverisë irakiane dhe sipas rekomandimeve të Sekretarit Hagel e komandantëve të tij, bazuar mbi nevojat e vlerësuara të forcave irakiane të sigurisë”, thuhej në deklaratë.

“Ne besojmë se kjo kërkesë është një mundësi për Kongresin dhe këtë administratë për të punuar së bashku në dhënien e burimeve shtesë të nevojshme për të degraduar deri në shkatërrimin total të ISIL, ndërsa unë do të synoj të punoj së bashku me Kongresin për të siguruar këtë financim”, tha Shaun Donovan, drejtori i Obamës për buxhetin.

Kërkesa përfshin 1,6 miliardë dollarë për krijimin e një fondi për zhvillimin dhe mbështetjen e forcave të sigurisë irakiane e kurde, teksa ata po bëhen gati për të nisur një kundërofensivë ndaj ISIS, një organizatë ekstremistësh që kanë krijuar të ashtuquajturin kalifat islamik në rajone të tëra të Irakut dhe Sirisë.

Kundëradmiral John Kirby, zëdhënës i Pentagonit, tha se kërkesat janë të bazuara mbi vlerësimin e forcave irakiane të sigurisë, të bëra edhe nga Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM). Gjithashtu do të ngrihen qendra trajnimi për 9 grupe ushtarësh irakianë dhe 3 brigada të kurdëve “peshmerga”, shtoi Kirby.

Top Channel