Dita që ndryshoi historinë

08/11/2014 00:00

Mbarë bota kujton rrëzimin e Murit të Berlinit. Çerekshekulli më parë ishte dita që ndryshoi historinë e Gjermanisë, por edhe të gjithë Lindjes komuniste.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Bashkim Zeneli foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në lidhje me këtë ngjarje historike.  

Pandi Gjata: Është një ngjarje që e keni ndjekur ndër vite, por së fundi e keni hedhur edhe në një libër që do të botohet së shpejti. Kur shohim këtë revolucion të madh të Gjermanisë, por edhe të botës, si e shikoni këtë ngjarje pas çerekshekulli?

Bashkim Zeneli: Muri i Berlinit ka një histori të hershme, e cila fillon që pas Luftës së Dytë Botërore me Konferencën e Potsdamit. Në gusht të vitit 1945, kur fuqitë e luftës anti-fashiste, ish-Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë ndarjen e Gjermanisë, pjesa lindore i takoi bllokut të Bashkimit Sovjetik, ndërsa pjesa tjetër e Gjermanisë u nda në 3 zona. Pra, e gjithë Gjermania u nda në 4 zona, një lindja dhe 3 fuqitë perëndimore. Edhe Berlini u nda në 4 sektorë, po kështu midis fuqive. Kjo është një histori, e cila vazhdoi edhe më pas me qëndrime politike edhe provokative të ish-Bashkimit Sovjetik. Pa dashur të kujtojmë kronologjinë, të mos harrojmë se menjëherë sapo filloi plani “Marshall” në ndihmë të rimëkëmbjes së Gjermanisë, Stalini ndërmori një veprim kriminal krejt të papritur, duke bërë bllokadën e të gjithë kalimeve tokësore dhe ujore në Berlin, i cili pothuajse 90 për qind ishte i shkatërruar nga lufta mbeti i izoluar dhe u desh plani i gjeneralit Klein që të ndërtohej dhe të përballohej kjo situatë me atë që njihet sot si ‘ura ajrore’, e cila vazhdoi për 11 muaj, deri në reagimin e Stalinit. Më pas kemi edhe veprime të tjera provokative. Kemi kërkesën e mëvonshme të liderit tjetër sovjetik, të Khrushchev-it pas vdekjes së Stalinit. Kemi tendencën e tij për të quajtur Berlinin një qytet të lirë dhe për të aneksuar Berlinin Perëndimor, në kundërshtim edhe me marrëveshjen e Potsdamit. Muri i Berlinit, i ndërtuar më 13 gusht të vitit 1961, ka një histori e cila ka nisur që në 1945-ën. Në ato që unë kam shkruar për ngritjen dhe rënien e Murit të Berlinit ishte një deklarim shumë interesant i ish-kryeministrit britanik, Churchill, i cili 5 muaj pas mbledhjes së Potsdamit përcakton qartë se tani ka një kordon të kuq midis Lindjes dhe Perëndimit dhe nuk janë vetëm nën influencën e sovjetikëve, por janë edhe nën diktatin e sovjetikëve.

Pandi Gjata:  Si erdhëm në 9 nëntorin e 1989? Cilët ishin arkitektët?

Bashkim Zeneli: Muri u ndërtua me urdhër të Khrushchev-it dhe pas disa raportimeve të Ulbricht-it, që rreth 250 mijë gjermanë lindorë po kalojnë çdo vit në perëndim. Ai dha një urdhër të prerë për ndërtimin e murit dhe ai u ndërtua. U krijuan ndërmarrje të posaçme për ndërtimin e murit. Një meritë të jashtëzakonshme në fillimet e ‘gërryerjes’ së murit ka ish-kryetari i Bashkisë së Berlinit, Willy Brandt, nobelist për çmimin e paqes. Që në Berlin, duke qenë kryetar i bashkisë, më pas zëvendëskancelar dhe më vonë edhe kancelar, ndërmori politikën drejt lindjes dhe në mënyrë të veçantë drejt Bashkimit Sovjetik. Një afrim me Bashkimin Sovjetik i dha mundësi edhe afrimit të mëtejshëm me Gjermaninë Lindore. Në qershor të vitit 1989, kur vazhdonte të forcohej muri 156 kilometra i gjatë, por ishin 1400 kilometra të tjera të blinduara, por sërish aty njerëzit kanë kaluar me balona dhe nëpërmjet 72 tuneleve të hapura. Në qershor të vitit 1989, Gorbachev-i, në mbledhjen e traktatit të Varshavës, e deklaroi si të paqenë teorinë 20 vjeçare të sovranitetit të kufizuar dhe deklaroi hapur se popujt dhe vendet kanë të drejtë të zgjedhin të ardhmen e tyre dhe ishin disa vende që i filluan këto procese. Të gjitha këto procese afruan edhe Gjermaninë Perëndimore me Lindjen. Megjithatë, udhëheqja lindore ishte tepër jokonservatore në kuptimin e këtyre proceseve. Një muaj përpara se të shembej muri, Gorbachev-i ishte në 40 vjetorin e shpalljes së Republikës Demokratike Gjermane dhe kërkoi reforma të shumta, ndërsa udhëheqësi komunist, Ulbricht-i i tha se Gjermania ka zgjedhur rrugën e saj dhe nuk ra dakord me këto. Pas disa ditësh ai dha dorëheqjen dhe më vonë dha dorëheqjen e gjithë qeveria, sepse filluan edhe manifestime të fuqishme. Më 9 nëntor të vitit 1989 në orën 19:00, një anëtar i byrosë politike, Gunter Schaboëski deklaroi se qeveria po përgatit një ligj për kalimin e lirë të njerëzve në të gjitha vendet, jo vetëm në Gjermaninë Perëndimore. Një gazetar italian e pyeti atë se kur ky ligj do të hynte në fuqi dhe ai u përgjigj: “Menjëherë tani”. Kjo u transmetua menjëherë edhe nga agjencia zyrtare e lajmeve. Ambasadori sovjetik tha: “Vetëm me këto dy fjalë u vulos shpërbërjen e Gjermanisëm Demokratike”. Kufiri është hapur pas rreth një ose dy orësh nga deklarata, ndërsa portat e Brandenburg-ut u hapën rreth orës 22:00, kur filloi edhe lëvizja e lirë. Për 28 vjet kanë kaluar nga Lindja në Perëndim vetëm 4 mijë persona, me përjashtim të pensionistëve. Ndërkohë që nga Perëndimi në Lindje lejoheshin dhe kjo ishte një marrëveshje mes Willy Brandt dhe qeverisë gjermane. Vetëm në vitet 1964-65 kanë kaluar 6 milionë nga Perëndimi në Lindje. Lindja nuk kishte besim të lejonte njerëzit e saj të kalonin në Perëndim, sepse mendonin se nuk do të ktheheshin.

Pandi Gjata: Kur e kujtojmë këtë ngjarje pas çerekshekulli dhe kufijtë kanë rënë, ndërsa ne ballkanasit kemi ende mure, më shumë mure në mentalitet. Si i shihni marrëdhëniet në Ballkan pas këtyre 25 viteve?

Bashkim Zeneli: Muri i Berlinit ishte një mur që ndau dy botë dhe me rënien e tij i afroi ato. Pavarësisht problematikave, nuk ishte më ajo armiqësi. Vendet e bllokut socialist fituan pavarësinë. Pikërisht në këtë periudhë, në 1989-ën, i vetmi vend që nuk mësoi nga kjo ishte ish-Jugosllavia e Millosheviçit, sepse në 1989-ën hoqi pavarësinë e Kosovës dhe po atë vit ai mbajti mitingun e famshëm në Fushë Kosovë ku tha se jemi ne që do të vendosim. Por Ballkani ka bërë shumë përpara edhe në sajë të mbështetjes së hapur të SHBA-ve dhe BE-së. Por kam përshtypjen se ballkanasit kërkojnë të shtyhen vazhdimisht nga Perëndimi. Është aspirata për t’u integruar në familjen europiane, por nga ana tjetër Ballkani është i gatshme për t’u rikthyer sherreve të vjetra dhe për të ndërtuar sherre të reja.   
 

Top Channel