Obama “zgjedh” Loretta Lynch si Prokurore të Përgjithshme

08/11/2014 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama ka propozuar Loretta Lynch në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, i cili mbahej nga Erik Holder. Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia e Bardhë.

Nëse Senati do të konfirmojë propozimin e bërë nga Presidenti, atëherë Lynch do të jetë e para femër afrikano-amerikane në krye të Departamentit amerikan të Drejtësisë. Holder, i cili dha dorëheqjen nga posti gjashtë javë më parë, ishte i pari afrikano-amerikan që shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm.

Sipas Shtëpisë së Bardhë kandidatura e Loretta Lynch do të prezantohet zyrtarisht gjatë ditës së shtunë.

Loretta Lynch, aktualisht shërben si Prokurore e Brooklyn. Ajo është një prokurore me shumë popullaritet, e cila është në mandatin e dytë të saj si prokurore federale në qarkun lindor të Nju Jorkut, e emëruar nga Presidenti Obama në vitin 2010, dhe që ka shërbyer në të njëjtin post edhe gjatë viteve 1999-2001 nën Presidencën e Bill Clintonit.

Lynch ka shërbyer gjithashtu në ekipin hetues dhe që arriti të dënonte oficerët e policisë së Nju Jork Sitit, për shkak se kishin shkelur të drejtat civile ndaj Abner Louima, një emigrant nga Haiti, të cilin policia e kishte keqtrajtuar.

Kjo eksperiencë mund të ndihmojë atë në krye të Departamentit të Drejtësisë, që pritet të shqyrtojë disa çështje të profilit të lartë mbi të drejtat e njeriut, përfshi ngjarjen e Fergusonit, ku një polic qëlloi për vdekje Michael Broën, një adoleshent me ngjyrë.

Top Channel