Meksikë, anëtarët e bandës pranojnë vrasjen e studentëve

08/11/2014 00:00

Prokurori i Përgjithshëm i Meksikës, Jezusi Murillo ka thënë se persona të dyshuar si anëtarë të bandës Guerreros Unidos kanë pranuar se kanë vrarë më shumë se 40 studentë, të cilët janë zhdukur prej 6 javësh.

Murillo tha se 3 anëtarë të bandës, të arrestuar gjatë ditëve të fundit, pretendojnë se studentët i janë dorëzuar atyre nga policia. Ata kanë thënë se disa prej studentëve janë asfiksuar, ndërsa të tjerët janë ekzekutuar me armë.

Autoritetet akuzojnë kryebashkiakun e qytetit Iguala se urdhëroi policinë të përballej me studentët ditën e zhdukjes së tyre më 26 shtator. Kryeprokurori i Meksikës tha se Jose Luis Abarca urdhëroi operacionin policor për të ndaluar studentët, të cilët kishin ndërprerë një aktivitet të organizuar nga bashkëshortja e tij.

Studentët ishin zhdukur që nga përleshjet e 26 shtatorit me policinë. Ata kishin udhëtuar për në Iguala për të protestuar për më shumë fonde për kolegjin e tyre, por teksa ata po largoheshin, policia hapi zjarr në drejtim të autobusëve. Gjashtë persona, 3 prej tyre studentë, u vranë. Ndërsa 43 të tjerë u shpallën të zhdukur në ditët në vijim.

Top Channel