Mogherini: Duhet krijuar shteti palestinez

08/11/2014 00:00

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini ka deklaruar gjatë një vizite në Gaza se krijimi i shtetit palestinez është një domosdoshmëri.

“Duhet një shtet palestinez, ky është objektivi, ky është qëndrimi i gjithë Bashkimit Evropian. Bota nuk do ta tolerojë një luftë të katërt”, ka thënë Mogherini.

Sipas saj, rruga e duhur për të rimëkëmbur Rripin e Gazës është garantimi i një qeverie palestineze, që është pse në kushte të vështira të mund të qeverisë.

“Është me rëndësi që të gjitha palët të ruajnë apo të rigjejnë qetësinë”, ka vijuar më tej shefja e Politikës së Jashtme të BE, duke iu referuar lajmit se Hamas synon të ngrejë një ushtri për “çlirimin e Jeruzalemit”.

“Armëpushimi i arritur në muajin gusht nuk është paqe e mirëfilltë, që do të thotë se është i brishtë. Të gjitha palët duhet të tregojnë përgjegjshmëri, pa ndërmarrë veprime që mund të dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme procesin e paqes”, ka vijuar Mogherini.

Sa i takon tensioneve të fundit mes krahut të moderuar politik Al Fatah, të presidentit Abbas dhe lëvizjes islamike të Hamas, ajo u ka bërë thirrje palëve që të punojnë së bashku për të mirën e popullit.

“Mund të luajmë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar Autoritetin Kombëtar Palestinez që të kthehet në Gaza dhe të mund ta qeverisë atë. Prania e BE-së në Gaza është jetike nga aspekti i asistencës dhe rindërtimit të Rripit. Por, pa një perspektivë politike për një shtet të vetëm palestinez edhe rindërtimi mund të jetë i vështirë”, ka shtuar Mogherini.

Top Channel