Masa ndaj 46 policëve të sallave operative

08/11/2014 00:00

Ndaj 46 punonjësve të policisë, me detyrë në sallat operative në të gjithë qarqet e vendit është vendosur masa “vërejtje me paralajmërim”, për shkak të mungesës së komunikimit të duhur me qytetarët në numrin 129.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme, ata nuk kanë përdorur shprehjet e përcaktuara në urdhërin e drejtorit të përgjithshëm në përgjigjet ndaj qytetarëve.

Konkretisht, ky është urdhëri i drejtorit të përgjithshëm të policisë, Artan Didi, që bën fjalë për kërkesa ndaj personelit të shërbimit në sallat operative.

Sipas Didit, personeli duhet të zbatojë me rigorozitet metodologjinë e komunikimit, ku thuhet se në asnjë rast nuk i sugjerohet qytetarit që për problemin që ka t’i drejtohet një institucioni tjetër, por duhet që qytetari të sigurohet për dërgimin në një kohë sa më të shpejtë të shërbimeve emergjente të kërkuara.

Didi thotë se efektivi në sallën operative që flet në numrin 129 duhet të përdorë shprehjet “Policia e Shtetit, si mund t’ju ndihmojmë” dhe pasi të dëgjohet problematika, thuhet në këtë urdhër të kryepolicit, gjithmonë komunikimi duhet të mbyllet me frazën “faleminderit për informacionin dhe besimin tek Policia e Shtetit”.

Didi urdhëron drejtuesit e policive në qarqe, në komisariate dhe Drejtorinë e Kufirit që herë pas here të zhvillojnë sondazhe në lidhje me zbatimin e kërkesave të urdhërit të datës 23 shtator të këtij viti.

Top Channel