Katalunja voton për pavarësinë

09/11/2014 00:00

Katalunja kërkon të lëvize përpara me një referendum për pavarësi të plotë nga Spanja.

Sot mijëra qytetarë janë duke shprehur vullnetin me votën e tyre. Por, ky referendum është konsideruar si i paligjshëm nga  Gjykata Kushtetuese e Spanjës. Disa zëra thonë se rezultati do të jetë simbolik, mirëpo krerët rajonalë shprehen se një pjesëmarrje e lartë votimi do të nxisë bisedime në Madrid.

Qendrat e votimit në të gjithë zonën verilindore spanjolle kanë hapur dyert prej orës 09:00 të mëngjesit. Një nga arsyet kryesore, që i shtyn katalanasit të marrin këtë nismë, është pakënaqësia gjithnjë në rritje, e sidomos vitet e fundit. Ata shprehen se paguajnë çmime shumë më të larta se spanjollët dhe përditë luftojnë me një recesion ekonomik.

Mbështetësit e referendumit thonë se Katalunja e pavarur do të heqë barrën financiare të rreth 7.5 milionë banorëve, ndërsa skeptikët paralajmërojnë se Spanja mund të shoqërohet me pasiguri ekonomike, si dhe largim të investitorëve.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy është shprehur kundër këtij referendumi. Mirëpo lëvizja për pavarësi i mëshon idesë për të ruajtur me fanatizëm një identitet të fortë kulturor, si dhe gjuhën katalanase të vetë zonës.

Rreth 5.4 milionë katalanas, të moshës mbi 16 vjeç, janë thirrur për të votuar në një proces të paautorizuar nga qeveria e Madridit dhe që do të menaxhohet nga vullnetarë për të mos shkelur ndalimin që i është bërë nga Gjykata Kushtetuese.

Mbi 7 mijë agjentë të policisë katalanse do të kujdesen që procesi elektoral të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa incidente.

Rajoni katalanas, që prej dekadash ka kërkuar pavarësi nga Spanja, u frymëzua nga shembulli i Skocisë që zhvilloi më herët gjatë vitit një referendum për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar. Edhe pse skocezët votuan kundër pavarësisë nga Britania, procesi frymëzoi katalanasit të cilët do të vendosin nesër.

I njëjti referendum i zhvilluar në Skoci ka tërhequr së fundmi, sipas BBC, vëmendjen edhe të ishullit të Korsikës, ku tendencat e banorëve për t’u shkëputur nga Franca nuk janë shuar pavarësisht kalimit të viteve.

Top Channel