SHBA, viktima e 4-t nga të shtënat në shkollë

08/11/2014 00:00

Një tjetër student i plagosur në të shtënat e dy javëve më parë në një lice në veri të Siatëllit, në Shtetet e Bashkuara, ka ndërruar jetë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave ky rast e çon në katër numrin e viktimave të masakrës që tronditi qytetin.

Bëhet fjalë për një djalë 15-vjeçar, Andrew Fryberg, që ishte dhe i fundit nga studentët e plagosur i shtruar në spital.

Familja e Andrew Fryberg falenderoi komunitetin për mbështetjen e treguar pas njoftimit të vdekjes së djalit të tyre ditën e premte dhe tha se ishte “e befasuar nga dashuria dhe kujdesi i treguar”.

Në dy javët e fundit, tre vajza, Gia Soriano, Zoe Galasso dhe Shaylee Chuckulnastik, të gjitha të moshës 14-vjeçare, ndërruan jetë njëra pas tjetrës në spital nga të shtënat.

Ngjarja tragjike ndodhi më 24 tetor, kur studenti Jaylen Fryberg hapi zjarr ndaj disa shokëve në kafenenë e shkollës së mesme Marysvile Pilchuck.

Ai u kishte dërguar mesazh shokëve të tij për ta takuar atje pas mësimit dhe pasi këta të fundit ishin ulur në një tavolinë ai i qëlloi me një pistoletë.

Jaylen cilësohej si një djalë popullor në shkollë, edhe pse disa mesazhe të postuara prej tij në rrjetet sociale para masakrës tregonin se ai ndihej i shkatërruar nga një ngjarje, të cilën nuk e saktësonte.

Një student i liceut tha pak ditë më vonë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se gjithçka kishte ndodhur për shkak të një vajze.

Raportimet që dolën pas ngjarjes flisnin për gjestin heroik të një mësueseje, Megan Silberberger, që vrapoi në vendin e ngjarjes dhe bëri gjithçka mundi për të mbrojtur studentët.

Kjo ka bërë që të mos jetë ende e qartë nëse Fryberg vrau veten apo arma që ai kishte në dorë u shkrep aksidentalisht teksa përleshej me mësuesen.

Top Channel