EULEX, akuzat për korrupsion ulin besueshmërinë

08/11/2014 00:00

Hetimet mbi dyshimet për korrupsion brenda misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, mund të ndikojnë tek institucionet kompetente për vazhdimin e luftës ndaj kësaj dukurie, thonë zyrtarët e lartë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ata vlerësojnë se dyshimet për ketë mision ndërkombëtar mund të ulin besimin e qytetarëve tek institucionet.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni tha për Radion Evropa e Lirë se zhvillimet e fundit rreth misionit EULEX janë lajme të këqija për vetë misionin, por edhe për Kosovën.

“Akuzat përbëjnë një rrezik të madh për mendimin që do të krijojë publiku, për besueshmërinë tek institucionet ndërkombëtare por edhe ato vendore. Këto probleme që po dalin në dritë tani tregojnë se edhe tek institucionet ndërkombëtare nuk është gjithçka e bardhë”, deklaroi Preteni.

Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha tha për REL se, pavarësisht asaj çfarë thuhet për EULEX-in, nuk mund të ketë kurrëfarë ndikimi në përkushtimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin.

“Këto akuza nuk do ta zbehin, përkundrazi prokurorët do të jenë të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit. Por do të ishte mirë që prokurorët të mos pengoheshin në hetime, pavarësisht se për cilat raste bëhet fjalë. Shkrimet në media dhe komunikatat sigurisht që i pengojnë”, tha Hoxha.

Top Channel