Shtohen të prekurit nga sëmundjet e zemrës

08/11/2014 00:00

Plakja e popullatës, mënyra sedentare e jetesës dhe kequshqyerja kanë rritur numrin e personave që vuajnë nga sëmundjet e zemrës në Shqipëri.

Për shkak se ka ende një edukatë shëndetësore për të bërë kontrollet rutinë, pacientët me sëmundje të zemrës paraqiten tek mjeku atëherë kur vetëm ndërhyrjet intensive apo ato kirurgjike ofrohen si zgjidhje.

Profesor Artan Goda vlerëson se Qendra Spitalore Universitare është sot ndër qendrat më aktive në rajon, pasi vetëm këtë vit janë krye 5.550 koronarografi.

“Shqipëria ka ecur mjat në vitet e fundit, janë dhjetëfishuar numrat e ndërhyrjeve. Është vështirë që t’i precizosh sepse vijnë gjithmonë duke u rritur me plakjen e popullatës, stilit të jetesës, duhanit, etj. Ne realizojmë 5.550 koronarografi në vit dhe mbi 2 mijë analiza të tjera, por për t’u renditur me vendet më të zhvilluara evropiane duhet të kemi dyfishin e tyre”, deklaroi Goda, shef i shërbimit të Kardiologjisë.

Në një konferencë shkencore ku merrnin pjesë kardiologët dhe kardiokirurgët më të njohur në vend, si dhe shumë profesionistë të huaj u vlerësua përgatitja e kardiologëve shqiptarë.

“Shqipëria ka fatin se ka kardiologë, kardiokirurgë dhe hemodinamistë të zotë. Është e qartë se përgatitja e tyre duhet ndihmuar në praktikën mjekësore duke iu vënë në dispozicion mjete dhe pajisje”, deklaroi Ettore Sansavini, president i grupit “Vila Maria”.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj theksoi se furnizimi me medikamente i QSUT këtë vit dhe investimi në pajisje ka rritur me 40% shërbimin e ofruar në kardiologji dhe kardiokirurgji. Beqaj shkoi më tej kur propozoi ngritjen e një qendre të dytë për ofrimin e këtij shërbimi.

“Të marrim një angazhim të përbashkët që në dy vjet të kemi një qendër të re publike të kardiokirurgjisë. Në QSUT ne përfundojmë tani një investim prej 400 mijë dollarësh, ku kemi fuqizuar me pajisje këtë shërbim. Përfunduan proçedurat e prokurimit për të marrë një angeograf të ri dhe po punohet për të blerë një tjetër për ta nxjerrë shërbimin jashtë Tiranës. Vitin tjetër do të hapim një qendër në Shkodër”, nënvizoi Beqaj.

Drejtorja e QSUT, Ogerta Manastirliu nënshkroi një ditë më parë marrëveshje me Qendrën Spitalore në Kosovë, ku ekipi i mjekëve tanë kardiologë do të kontribuojë një herë në muaj duke ofruar shërbim të specializuar atje për pacientët kosovarë.

Top Channel