“Interstellar” në kinematë Imperial

08/11/2014 00:00

Filmi i Christopher Nolan, “Interstellar” është duke u shfaqur në kinematë Imperial.

Në një kohë kur planeti Tokë është degraduar, Cooper, interpretuar nga Mathew McConaughey, ish-astronaut i kthyer në agrikultor, zbulon falë së bijës se NASA është ende aktive, edhe pse në fshehtësi dhe që Tokës po i vjen fundi.

Por NASA ka zbuluar nje “wormhole” që të çon në të tjera galaksi. Cooper niset në një udhëtim hapësinor së bashku me një grup të vogël, përfshirë shkencëtaren Brand, roli i Anne Hathaway, në kërkim të rezultatit të punës se tre grupeve të nisura vite më parë, për të gjetur një planet ku të transferojnë njerëzit.

Ai do të bëjë gjithçka për të shpëtuar fëmijët e tij. Gjinia e filmit është fantashkencë, e mbushur me mesazhe dashurie.

“Ka disa arsye pse ky film fton publikun. E para është regjisori, i njohur për trilogjinë “Dark Knight”, por edhe për filma të tjerë që kanë arkëtuar 3.5 miliardë dollarë. E dyta është kasti i aktorëve, ku thuajse të gjithë kanë marrë Oscar”, tregon Altin Prifti, drejtor i përgjithshëm i Imperial.

Për të parë “Interstellar”, por edhe çdo film tjetër, oferta është në kinematë Imperial çdo fundjavë. “Në rrjetin Imperial kemi nisur një ofertë shumë të mirë që është “bileta ditore”, një ofertë familjare, përmes të cilës mund të shihni gjithë filmat e ditës”, shton Prifti.

Top Channel