Greqia, Qipro dhe Egjipti kanë vendosur të përshpejtojnë negociatat për delimitimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike detare të tyre, aty ku ato ende nuk janë kryer.

Kjo marrëveshje historike, siç e përshkruan edhe shtypi grek, është arritur gjatë një takimi të nivelit të lartë mesditën e së shtunës në Kajro, ku merrnin pjesë kryeministri grek Samaras, ai qipriot Anastasiadhis dhe presidenti egjiptian Al Sisi.

Në njoftimin e përbashkët për shtyp, përveç rëndësisë së posaçme të zbatueshmërisë universale të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit dhe përshpejtimit të bisedimeve për delimitimin e zonave detare, vihet theksi edhe tek nevoja për të respektuar sovranitetin dhe tre vendet i bëjnë thirrje Turqisë për të ndaluar të gjitha kërkimet sizmografike në zhvillim brenda zonës detare të Qipros, si dhe të shmangë akte të ngjashme në të ardhmen.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri grek Antonis Samaras ka deklaruar se ishte një takim që tre vendet, dy anëtaret e BE dhe Egjipti, vendi me ndikimin më të madh në botën arabe, ia kishin borxh historisë.

Midis çështjeve që u diskutuan nga tre udhëheqësit ishin zhvillimet në Irak dhe Siri, përpjekjet kundër terrorizmit dhe shqetësimet e përbashkëta për sigurinë në Mesdheun lindor.

“Gjatë negociatave kemi diskutuar edhe çështjet e Lindjes së Mesme, veçanërisht asaj Palestineze dhe përpjekjeve për paqen, zhvillimet e fundit në Siri dhe Irak, si dhe përpjekjet për të luftuar organizatat terroriste dhe ata që i përkrahin ato”, deklaroi presidenti egjiptian Abdel Fatah Al Sisi.

Gjithashtu është rënë dakord për një zgjidhje mjaft gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të problemit të Qipros, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Javët e fundit ka pasur një tension midis Greqisë, Qipros dhe Egjiptit nga njëra anë dhe Turqisë nga ana tjetër për sa i përket dërgimit nga ana e Ankarasë të një anijeje eksplorimi të hidrokarbureve nën survejimin e disa anijeve luftarake turke brenda zonës ekskluzive ekonomike të Qipros, në Mesdheun lindor, të cilën pala turke e vë në dyshim.

Marrëveshja e sotme në Kajro cilësohet tepër e rëndësishme nga shtypi grek pasi Greqia me asnjë nga fqinjët e saj si Shqipërinë, Italinë, Libinë, Egjiptin dhe Turqinë nuk ka nënshkruar ende një marrëveshje zyrtare për Zonat Ekonomike Ekskluzive detare.

Top Channel