25-vjetori i rrëzimit të Murit të Berlinit

09/11/2014 00:00

Kulmi i festimeve, që i përkojnë 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, u shënua në Portën e Brandenburgut, pikërisht në monumentin kult të gjermanëve. Mijëra njerëz marshuan drejt asaj porte, e cila për disa vite u kthye në një simbol të trishtë pasi ndau Gjermaninë. Por rënia e Murit të Berlinit i hapi rrugën e ribashkimit të kombit.

Gjermania festoi ditën e diel përvjetorin historik të rënies së Murit te Berlinit. 25 vite më parë jeta e gjermanëve mori një trajtë krejt të re. Por jo vetëm. Rënia e Murit të Berlinit shënoi një kthesë të madhe edhe për Europen.

Prestigjiozja “Deutsche Welle”, në një artikull të saj, e cilëson 9 nëntorin e vitit 1989 si një moment magjik.

Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore fillimisht ndanin një kulturë, mentalitet dhe histori të përbashkët. E kjo deri në momentin që regjimi komunist i pjesës lindore nisi të shfaqë pasojat e tij të dukshme.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është rritur aty, por sërish e cilësoi komunizmin si ideologji të gabuar.

“Unë dua të shpreh falenderimet e mia për gjermanët e Lindjes, të cilët gjetën guximin për të protestuar kundër diktaturës. Gjatë vitit 1989, ata e lanë mënjanë frikën e represionit të shtetit dhe Gjermania e sotme është në sajë të guximit të tyre. Ajo ditë është një dëshmi, e cila na tregon se dëshira për liri nuk mund të shtypet përgjithmonë”, është shprehur Merkel.

Muri i Berlinit, me tela dhe gjemba, ishte ai i cili për një kohë të gjatë krijoi barriera dhe ndasi. Megjithëse kjo nuk ishte tentativa e parë për bashkim. Në vitin 1953, një lëvizje e ngjashme për liri u shtyp brutalisht nga pushtetarët. Por kjo nuk i shuajti shpresat e gjermanëve për revolucion, kulmi i të cilit u shënua me rënien e Murit.

Kancelares Merkel i janë bashkuar gjatë festimeve edhe ish-lideri i unionit tregtar polak, Lech Walesa, si dhe Mikhail Gorbachev, lideri i fundit i ish-Bashkimit Sovjetik. Muri i Berlinit kishte një shtrirje prej 155 km në total, një pjesë e mirë e së cilës kalonte përmes Berlinit, ndërkohë që sot vetëm 3 km prej tij qëndrojnë ende.

Me shembjen e tij, Gjermania, e cila ishte ndarë në 4 zona ushtarake pas humbjes në Luftën e Dytë Botërore, u ribashkua.

Ish-udhëheqësi i, Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, në përkujtim të kësaj dite, përcolli mesazhin se liderët ndërkombëtarë duhet të bashkëpunojnë më shumë sepse sipas tij, bota ndodhet në prag të një lufte të re të ftohtë.

“Gjakderdhjet në Europë dhe në Lindjen e Mesme në sfondin e një ngërçi bisedimesh mes fuqive madhore është një shqetësim i jashtëzakonshëm”, tha ai. “Bota është buzë një Lufte të re të Ftohtë. Disa madje thonë se ajo sapo ka filluar”.

Në kujtim të asaj dite në Gjermani janë organizuar koncerte dhe ekspozita nga më të ndryshmet, pjesë e të cilave janë emra të shquar të historisë dhe politikës ndërkombëtare.

Më shumë se një milion vizitorë kaluan fundjavën e tyre në Berlin mes festimesh. Mijëra balona të mbushura me helium u vendosën në mënyrë simbolike,  pikërisht në vijën e kufirit, e cila dikur ndante Lindjen me Perëndimin. 

Top Channel