Amerikanët e liruar kthehen në vendin e tyre

09/11/2014 00:00

Dy amerikanë, të cilët kaluan muaj të tërë të burgosur në Korenë e Veriut, janë rikthyer më në fund në tokën amerikane mbrëmjen e së shtunës, pasi lideri i vendit komunist të Azisë Lindore, Kim Jong-un, urdhëroi lirimin e tyre.

Ata u lanë të lirë pas një vizite të rrallë në Korenë e Veriut të një zyrtari të lartë amerikan, i cili mbante me vete edhe një letër nga Presidenti Barack Obama.

Avioni, që mbante Kenneth Bae dhe Mattheë Todd Miller, dy shtetasit e fundit amerikanë që diheshin të burgosur në Korenë e Veriut, u ulën në bazën ushtarake “Lewis-McChord” të shtetit të Uashingtonit.

Dy personat zbritën nga avioni qeveritar njëri pas tjetrit, Bae në fillim e më pas Miller, të dy duke ecur drejt të afërmve të tyre që i prisnin krahëhapur dhe të qeshur, teksa prisnin me ankth mbërritjen e tyre.
 
Bae: Falënderoj Obamën, median dhe… Korenë e Veriut

“Thjesht dua t’iu falënderoj të gjithëve që më keni mbështetur dhe më keni inkurajuar gjatë kësaj kohe”, tha Bae gjatë një komenti të shkurtër për mediat amerikane në bazën ushtarake.

Ai falënderoi gjithashtu Presidentin Obama dhe Departamentin e Shtetit, të cilët siguruan lirimin e tij, si dhe i kushtoi dy fjalë mirënjohjeje edhe vendit që e mbajti të burgosur për 2 vite.

“Do të doja të falënderoja edhe qeverinë e Koresë së Veriut gjithashtu, që më lejoi të kthehem në shtëpi dhe të bashkohem me familjen time”, tha ai.

I pyetur në lidhje me shqetësimet mbi shëndetin e tij gjatë periudhës së burgimit, 46-vjeçari Bae tha se “po e merr veten”.

Ai dhe Miller u liruan pasi Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, shkoi në Penjan si i dërguar i Obamës, tha një zyrtar i lartë i DASH për CNN. Lirimi i tyre vjen në më pak se 1 muaj, pasi Korea e Veriut liroi gjithashtu edhe Jeffrey Fowle, një amerikan nga Ohio, i cili ishte burgosur prej 5 muajsh. Ai u ndalua nga autoritetet koreano-veriore, pasi la një Bibël në një klub në pjesën veriore të vendit.

Top Channel