“Paligjshmëria ka goditur mijëra familje”

09/11/2014 00:00

Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, nga Lushnja njoftoi ngritjen e një ekipi juristësh për të asistuar banorët që, sipas tij, iu janë prishur banesat në kundërshtim me ligjin.

“Nuk e di se kush na i ka prishur o zoti kryetar, nuk e dimë se kush ka ardhur”, tha një banor i zonës.

Ndërkohë që kreu i PD-së iu është drejtuar duke i pyetur nëse atyre iu sollën ndonjë njoftim përpara se të vepronin.

“Asnjë njoftim, hiç fare. Isha të dielën në Fier dhe me thanë të ndërtoja, po ç’të ndërtoj, ata ma prishën”, tha një tjetër banor.

“Kanë punuar fëmijët 24 vjet në kurbet të zi, o bir. Mendonin të ktheheshin në Shqipëri, por ata i nxorrën jashtë përsëri, o biri i nënës”, u ankua një tjetër banore e moshuar.

“I kanë futur në proces legalizimi dhe ata ua prishën shtëpitë, i lanë jashtë dhe as nuk i lajmëruan”, deklaroi një tjetër banor.

“Do të evidentojmë një për një dëmet që iu janë shkaktuar e do të ngrëjmë një ekip juridik, që t’iu ndihmojë për të ndjekur procesin ligjor. Unë i bëj thirrje Prokurorisë dhe kryeprokurorit të nisin urgjentisht këtu një ekip, për të parë se si përmes një akti terrorist janë prishur shtëpitë e qytetarëve”.

Kreu i demokratëve ka diskutuar me banorët e këtij qyteti edhe për gjendjen ekonomike të tyre, të cilësuar prej vet banorëve si tejet të vështirë për shkak të papunësisë së madhe e shpërndarjes së ndihmës ekonomike me disa muaj vonesë.

“Këta nuk duhen mbajtur më në pushtet, jo vetëm që kanë mashtruar për 300 mijë vende pune, por kanë nisur të fusin me disa muaj burg njerëzit, sepse s’kanë parà të paguajnë energjinë elektrike. Harrojnë që kanë fëmijë, a kanë bukë të hanë apo jo. Do të hapë 300 mijë vende në çmendinë ai, jo vende pune”, thanë disa banorë.

Ndërkohë një tjetër banor është ankuar për tarifën e rritur të shkollimit, duke thënë se “i ka marrë borxh lekët për t’i paguar studimet fëmijës së tij”.

Mbyllja e filialit të Universitetit të Lushnjes ka qenë një tjetër interesim i kreut të demokratëve Basha.

“Nuk bënë mirë që e mbyllën filialin e Universitetit të Lushnjes, pasi në vitin tim ishin të paktën 130 vetë. Disa prej tyre janë transferuar në Tiranë me studime, ndërsa shumica e kanë lënë shkollën, sepse nuk e përballonin dot”, tha një student.

Top Channel