Akuzat e PD, reagon Kryeministria

09/11/2014 00:00

Qeveria ka reaguar sërish për deklaratat e Partisë Demokratike, ku i cilëson hedhje baltë mbi ceremoninë e suksesshme të vizitës së rëndësishme të Papa Françeskut në Tiranë. 

Deklarata e qeverisë thotë se prokurimi u bë mbi bazë të një ligji të miratuar nga vetë Partia Demokratike, kur erdhi në pushtet.

Ndërsa quan të padenjë sulmin e vrazhdë dhe recitimin banal para kamerave të Partisë Demokratike, që ka lënë vendin pa opozitë, qeveria thotë se detyrimin për sqarim e ka ndaj qytetarëve shqiptarë.

Sipas qeverisë, prokurimi i drejtpërdrejtë bëhet në kushtet e nevojës ekstreme, parashikuar nga ligji për prokurimin publik.

“Të gjitha institucionet që u morën  me vizitën e Papës, përfshi edhe vetë Bashkinë e Tiranës ndoqën këtë procedurë”,  thotë qeveria.

Në deklarate shtohet se komisioni shteteror që u mor me këtë vizitë, ku përfshihet Presidenti, Bashkia dhe partitë politike dhanë dakortësinë për procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë.

Top Channel