Albpetrol: Fitimi 20 mln dollarë

09/11/2014 00:00

Kompania publike e prodhimit të naftës, Albpetrol pret të realizojë një fitim 20 milionë dollarë për vitin 2014. Drejtori i Përgjitshëm Endri Puka thotë se në nëntë muajt e parë të vitit kompania ka një ecuri të fortë në treguesit financiar.

“Nëntë muajt e para ka faturuar rreth 9 miliard lekë të reja, ose rreth 46 milionë dollarë më shumë se vitin e kaluar ku janë faturuar vetëm 4 milionë dollarë. Rezultatet financiare janë të bazuara në rritjen e prodhimit, por edhe në mbledhjen e detyrimeve të papaguara nga kompanitë e hidrokarbureve, apo qoftë në uljen e humbjeve fizike”, deklaron kreu i Albpetrol, Endri Puka.

Albpetrol është institucioni përmes të cilit qeveria shqiptare mbikëqyr kontratat dhe vjel detyrimet e konçesionarëve që shfrytëzojnë vendburimet e naftës. Por vitet e fundit shumë nga këto detyrime nuk janë paguar, jo vetëm nga konçesionarët, por edhe rafineria e ARMO-s. Kjo ka bërë që kompania të ketë dhjetëra milionë dollarë borxhe të pambledhura, të cilat duhet të kishin shkuar në buxhetin e shtetit.

“Kjo mbetet një nga objektivat kryesorë të Albpetrol për vitin 2015 që të çojë 0 të gjitha detyrimet. Me kompanitë kryesore jemi duke punuar dhe jemi përafruar në shifra të pranueshme, por ende ka detyrime të pambledhura nga kompani apo subjekte të tjera të rëndësishme të industrisë së hidrokarbureve në Shqipëri”, thotë Puka.

Muajt e fundit drejtuesit e Albpetrol kanë qenë në një konflikt të hapur me Kontrollin e Shtetit. Vetë drejtori Puka është kallëzuar në prokurori nga KLSH për një marrëveshje me një nga kompanitë konçesionare. Sipas KLSH, Albpetrol i ka njohur në mënyrë të jashtëligjshme kompanisë së huaj zbritjen e holluesit nga detyrimet që ajo duhet të paguajë duke shkaktuar një dëm prej mbi 9 milionë euro. Por, kreu i Albpetrol thotë se shkeljen e ka bërë administrata e mëparshme.

“KLSH ka deklaruar që kjo kontratë është bërë në fundin e vitit 2013, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Kontrata është e fundit të vitit 2011 të cilin administrata aktuale e ka shfuqizuar. Por sigurisht në bazë të të drejtave që i jep kontrata kompanisë shoqëria në fjalë i është drejtuar Dhomës së Arbitrazhit të Parisit për caktimin e një eksperti që do japë vendimin përfundimtar nëse pretendimi i Albpetrol për mosnjohjen e kësaj marrëveshjeje do të jetë i vlefshëm apo pretendimi i kompanisë do të konsiderohet i drejtë”, sqaron kreu Puka.

Albpetrol është e vetmja kompani e mbetur publike në fushën e naftës, një industri që vitet e fundit ka qenë mjaft fitimprurëse në shkallë globale. Por për shkak të keqmenaxhimit dhe abuzimeve, kontributi i kompanisë në buxhetin e shtetit ka qenë minimal. 

Top Channel