Bombardimet amerikane ndaj ISIS

09/11/2014 00:00

Avionët ushtarakë amerikanë zbatuan ditën e diel një mision kundër liderëve të Shtetit Islamik. Deri në atë moment askush nuk kishte përmendur planifikimin e një sulmi të tillë ajror, objektiv i të cilit ishin udhëheqësit e terrorizmit.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se këto sulme të njëpasnjëshme, kanë plagosur rëndë liderin e kalifatit, Abu Bakr al-Baghdadi.

“Daily Mail” publikon dëshminë e dy njerëzve, të cilët pohojnë se bomba ka rënë në qytetin e al-Qaim, pranë kufirit me Sirinë, pikërisht ku po organizohej një takim i figurave të larta të ISIS. Sulmi ka vrarë një duzinë njerëzish e ndërsa të plagosurit ndodhen në spitalin e zonës, aty ku është shtruar edhe al-Bagdadi.

Zyrtarët perëndimorë dhe irakianë pohojnë se sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara nuk janë të mjaftueshme për të mposhtur ISIS ndaj bëjnë thirrje për ndihmë ndërkombëtare.

Presidenti Barack Obama ka miratuar dërgimin 1,500 trupave më shumë në Irak, për të këshilluar dhe trajnuar irakianët në betejën e tyre kundër Shtetit Islam.

Top Channel