Bashkia e Tiranës dhe PD përkujtojnë rënien e Murit të Berlinit

09/11/2014 00:00

Momoriali “Postbllok” në kryeqytet, pjesë e së cilit është dhe një copë nga Muri i Berlinit, i rrëzuar 25 vite më parë, u shndërrua në skenën e përkujtimit të kësaj date nga Bashkia e Tiranës dhe Partia Demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha, theksoi se kjo ngjarje shënoi fundin e një epoke të errët dhe nisjen e një fillimi të ri për të gjithë Europën dhe Shqipërinë.

“Një copëz të tij e kemi edhe këtu në Tiranë simbolikisht, sepse kemi qenë pjesë e karantinës gjiganteske të robërisë dhe shtypjes. Muri i Shqipërisë komuniste ka qenë më i larti, më i gjati dhe më i përgjakshmi i gjithë Europës, për të mos thënë i gjithë botës. Ndaj për ne 9 nëntori i vitit 1989, dita e rrëzimit të Murit të Berlinit, ka shijen e një profetësie dhe të një bekimi. Epoka jonë e lirisë dhe e demokracisë është e lidhur me rënien e Murit të Berlinit”, u shpreh zoti Basha.  

Por edhe në këtë rast, Basha nuk kurseu akuzat ndaj qeverisë, e cila sipas tij neglizhoi këtë datë të shënuar.

“Bashkia e Tiranës dhe opozita shqiptare janë të vetmit që e kujtojnë 25 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Kjo është një harresë domethënëse dhe diskredituese për shumicën e sotme shqiptare. Por kjo harresë është e turpshme dhe e dënueshme, sepse vjen në një moment ku në sytë e shumicës dhe me përkrahjen e saj me portretet e diktatorit në duar, përpiqet të rehabilitohet regjimi më i egër dhe barbar që kanë njohur ndonjëherë shqiptarët. Me shpërfilljen e tyre, ndaj kësaj date simbolike që e feston gjithë Europa, demaskojnë synimet e tyre për të vendosur një tjetër mur që ndan shqiptarët midis atyre që gëzojnë barazinë para ligjit dhe atyre që nuk e gëzojnë atë”, shtoi kreu i Partisë Demokratike.

E në fund të fjalës së tij, Basha ribëri një zotim: “Le ta festojmë edhe ne si të gjithë europianët sonte këtë ngjarje të madhe të shekullit të kaluar dhe të rizotohemi këtu në hyrje të bllokut famëkeq shqiptar, kurrë më mure kurrë më tirani”.

Top Channel