Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka mbështetur në terren aksionin e
nisur prej disa ditësh të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë
Elektrike kundër vjedhjeve dhe abuzimeve me energjinë.

Paraditen e së dielës aksioni u përqendrua në zonën e Saukut në kryeqytet, zonë kjo që ka problematikën e saj për sa i takon problematikës së mos pagimit të faturave, lidhjeve të dyfishta, apo edhe ndërhyrjeve në aparatet e matjes së energjisë.

Ministri Beqaj në fjalën e tij ka bërë një krahasim mes shifrave që vidhen në energjinë elektrike dhe impaktin e këtyre shifrave në sistemin shëndetësor.

“Edhe në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë jam jashtëzakonisht i interesuar që kjo çështje të stabilizohet një herë e më parë. 150 milionë euro është gjysma e shpenzimeve vjetore të shëndetësisë në Shqipëri. Kjo shumë është e barabartë me të gjitha shpenzimet e bëra për administrimin e spitaleve në Shqipëri . 150 milionë euro janë dy herë më shumë se shpenzimet aktuale të rimbursimit të barnave. Pra, është e domosdoshme që të kthejmë normalitetin”, u shpreh Beqaj.

Sakaq, përfaqësuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë kanë garantuar se, përveç aksionit për ndëshkimin e abuzuesve, në 7 ditë të javës teknikët e OSHEE janë të gatshëm të rilidhin energjinë për ato familjarë apo biznese që shlyejnë detyrimet financiare.

Top Channel